“Të pastrojmë Tiranën”, Bashkia dhe qytetarët në aksion

tira

Bashkia e Tiranës ndërmori sot një aksion pastrimi në 24 Njësitë Administrative të kryeqytetit. Synimi i këtij aktiviteti ishte ndërgjegjësimi i qytetarëve për mbajtjen pastër të qytetit dhe në të morën pjesë vullnetarë e qytetarë të shumtë.

Aksioni nisi në orën 8.00 të mëngjesit, me pastrimin e varrezave të Sharrës, e më pas vijoi në të gjitha njësitë administrative. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, falenderoi të gjithë qytetarët që vendosën t’i bashkohen aksionit të pastrimit.

Veliaj tha se Tirana aktuale është shumë herë më e pastër nga ajo e një viti më parë. Kryebashkiaku vlerësoi punën e bërë deri më tani nga ndërmarrjet e Bashkisë së Tiranës.

“Sot Tirana është shumë më e pastër dhe besoj të gjithë e pranojnë këtë, por kemi mundësi për më mirë. Më jep shumë shpresë fakti se ka një brez të rinj qytetarësh, të cilët çështjen e pastrimit e kanë shumë për zemër edhe me shpresë do të sjellin një transformim të një gjenerate, e cila mendon më me kujdes për natyrën”, tha ai.

Veliaj deklaroi se në dhjetor do të nisë punën edhe kompania publike, një bashkëpunim mes Bashkisë së Tiranës dhe Bashkisë së Veronës, për pastrimin e kryeqytetit, ndërkohë që janë porositur edhe mjete të tjera me qëllim përmirësimin e kushteve.

Pin It