Teatri ”Andon Zako Çajupi” hap dyert me një pamje të re si teatër modern dhe tempull i artit

Në Korçë u zhvillua ceremonia e hapjes së teatrit të rikonstruktuar “Andon Zako Çajupi”. Teatri i rikonstruktuar mirëpriti spektatorët me shfaqjen e baletit “Liqeni i Mjellmave”, interpretuar nga orkestra simfonike dhe trupa e TKOB-së. Pas më shumë se 55 vjetësh qeveria shqiptare investon në Tempulli e Artit në Korçë, një nga investimet më të rëndësishme të qeverisë shqiptare në art dhe kulturë, me synimin për ta kthyer në një teatër modern, i cili do t`i përgjigjet kërkesave dhe standardeve të kohës.

Teatri “Andon Zako Çajupi” është themeluar në vitin 1951 dhe nga viti 1971 ka godinën ku ndodhet edhe sot. Por prej atij viti, ky objekt nuk kishte njohur asnjë investim, duke çuar në amortizimin e gjithë ambienteve.

“Falë kulturës së hapur, falë artit të lirë e nxitjes së krijimtarisë së artistëve në 4 vjet, Shqipëria nxorri në pah anën e vet më të mirë dhe i tregoi botës kulturën si pasaportë, duke u bërë pjesë e axhendave më të rëndësishme kulturore të Europës e të botës: Nga Marubi e Festivalet deri te Bienalet e Venecias”, u shpreh Kumbaro në fjalën e saj.

Investimi në këtë teatër është njëri nga kantieret e hapura të qeverisë në art dhe kulturë. Në këtë rikonstruksion është rritur edhe kapaciteti i sallës. Tani teatri ka rreth 400 ndenjëse për publikun.

Të gjitha impiantet e kondicionimit , ngrohje – ftohjes, elektrikut, audio dhe video kanë parametra bashkëkohorë. Ndërsa në pjesën e pasme të teatrit është ndërtuar Teatri i Kukullave, me një kapacitet prej 91 spektatorësh.

Ndërhyrja në pjesën e skenës dhe të ambienteve ndihmëse të saj u realizua në aspektin ristrukturues përsa u përket rifiniturave, të cilat ishin shumë të degraduara, por dhe në drejtim të rritjes së numrit të hapësirave ndihmëse për aktorët e debutuesit, duke e pasuruar me dhoma të reja përgatitore dhe grimi.

Trajtimi i interierit të sallës është realizuar me materiale të certifikuara, që realizojnë parametrat akustike sikurse dhe komoditetin e spektatorit. Ndërhyrja në holl është po aq radikale sa edhe tek salla. Janë ndërtuar shkallë të reja, njëra prej të cilave është konceptuar monumentale me rampa të gjera dhe me lucionar sipër saj, i cili ia shton magjinë dinamikës së shkallës.

Trajtimi i fasadës kryesore është konceptuar me frymën metaforike arkitektonike të simbolikave të teatrit , e “Gëzuara” dhe e “Mërzitura”, të cilat mbartin në vetvete simbolikën e komedisë, dramës dhe tragjedisë. Në fasadë janë vendosur edhe 170 maska qeramike të prodhuara nga mjeshtri korçar, Vasillaq Kolevica./ATA/

Pin It