Temperaturat gjatë javës do të arrijnë -15 gradë

3578

Në qarkun e Dibrës trashësia e dëborës arrin deri në 10 cm, ndërsa në zonat malore në lartësi mbi 800 m kalon në 25-30 cm. Rruga nacionale Peshkopi- Qafa e Buallit kalohet normalisht pa probleme, ndërsa janë në gatishmëri 10 mjete borëpastruese dhe 3 fadroma.

Rruga Peshkopi-Kala e Dodës kalohet me zinxhirë, për shkak se trashësia e borës është më e madhe.Ura e Çerenecit – Steblevë , qarkullimi bëhet pjesërisht me zinxhirë dhe nuk janë shfaqur ende probleme. Rrugët rurale kanë filluar të paraqesin probleme, ndaj policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të përdorin zinxhirët.
Edhe në juglindje dhe verilindje të vendit reshjet e dëborës po shkaktojnë problemet e para, veçanërisht në lëvizjen e automjeteve.

Nga të dhënat e fundit rezulton se në aksin e juglindjes dhe sidomos në Qafën e Thanës dhe Qafë Plloçë lëvizja e mjeteve bëhet me vështirësi për shkak të intensitetit të reshjeve të dëborës.

Rruga nacionale megjithatë është e hapur, por në disa pjesë të saj drejtuesit e mjeteve udhëzohen të bëjnë kujdes për shkak të shtresës së deborës që është krijuar.

Ndërkohë, raportohet që rrugët nacionale, Rruga e Kombit dhe aksi Tiranë-Peshkopi është i hapur, ndërsa rruga Peshkopi-Kala e Dodës kalohet me zinxhirë për shkak se trashësia e borës është më e madhe.

Në aksin Tiranë-Peshkopi, veçanërisht nën zonën e quajtur Pishat dhe Gurët e Skëndërbeut, kërkohet të bëhet kujdes sepse për shkak të temperaturave shumë të ulëta në rrugë ka shtresa akulli.

Kjo situatë ishte paralajmëruar më herët, ndërsa mëngjesin e nesërm për shkak të uljes së ndjeshme të temperaturave pritet që të ketë problem me ngricat në rrugë.

E gjithë java që vjen do jetë me temperatura shumë të ulëta, që do variojnë nga minus 6 në kryeqytet deri në minus 15 në juglindje dhe në verilindje të vendit.

Pin It