Tërmeti me magnitudë 6.6 lëkund sërish Italinë, të paktën 20 të plagosur  

it

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.6 goditi Italinë Qendrore mëngjesin e së dielës, duke lënë të paktën 20 të plagosur. Ky tërmet është më i fuqishmi i tre dekadave të fundit në Itali, duke përfshirë edhe tërmetin e muajit gusht, i cili la të paktën 300 të vdekur.

Epiqendra e këtij tërmeti ishte në afërsi të Norcias, Umbria, ndërsa lëkundjet janë ndjerë nga 13 milion njerëz në të gjithë vendin; në Romë e deri në veri në Venecia, madje edhe në Austri. Thellësia e qendrës së tërmetit ishte rreth 1.5 km dhe lëkundjet zgjatën rreth 20 minuta, duke sjellë shkatërrimin e shumë ndërtesave.

Dëmet materiale janë edhe më të mëdha në qytetet e goditura edhe nga tërmetet e tjera të kohëve të fundit. Midis ndërtesave të rrënura ka edhe nga ato me rëndësi të veçantë historike si Bazilika e San Benedetos, e cila është rrafshuar pothuajse plotësisht.

Qarkullimi në vend paraqitet i vështirë për shkak të shkëmbinjve që kanë bllokuar rrugët, ndërsa disa linja hekurudhore të zonave qendrore janë mbyllur për kontrolle. Zëdhënësi i Mbrojtjes Civile i bëri thirrje popullatës që të evitojë me sa të mundet lëvizjet.

ita

Pin It