
Garantoni mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mos lejoni paragjykimet ndaj migrantëve që për të shkuar drejt vendeve të Europës, mund t’ju bjerë rruga në Shqipëri. Kjo ishte thirrja e Avokatit të Popullit, Igli Totozani, drejtuar institucioneve shtetërore, për të treguar humanizmin e popullit shqiptar në këtë drejtim. “Shqipëria është një shoqëri e civilizuar dhe demokratike, e hapur për të ndihmuar njerëzit që u largohen vuajtjeve. Ky është një nga ato momente, ku shoqëritë dhe individët vihen në provë për ndjenjat e tyre të solidaritetit dhe humanizmit”, u shpreh Totozani. Sipas Avokatit të Popullit, strukturave të Policisë së Shtetit i lind përgjegjësia që të pengojnë dhe godasin çdo tentativë për trafikim të qenieve njerëzore. Midis të tjerash, Totozani i kërkoi qeverisë të shtojë përpjekjet informuese dhe promovuese për të mos lejuar shfaqjen e tabuve, akteve diskriminuese, raciste e ksenofobiste.



