Turizmi, qeveria vendos rregulla për pasuritë e paluajtshme, kontratë 1 euro me afat deri në 99 vjet

mp16

Sipas vendimit të djeshëm të qeverisë për rregullat dhe kriteret e vënies në dispozicion të pasurive të paluajtshme shtetërore, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, parashikohen edhe kontrata me tarifën 1 euro. Kushti i vetëm për dhënien me qira të këtyre pasurive është që vlera e propozuar e investimit të kalojë shumën 50 milionë euro. Këto pasuri mund t’u jepen të tretëve me kontrata përdorimi, me tarifën simbolike 1 euro, me vendim të Këshillit të Ministrave.

Sipas procedurës së përcaktuar, ministri për Zhvillimin Ekonomik dhe Turizmin i propozon Këshillit të Ministrave të miratojë lidhjen e kontratës së përdorimit, me çmimin simbolik 1 euro. Propozimi shoqërohet me projektkontratën e negociuar ndërmjet palëve. Duke iu bërë parapritë abuzimeve që mund të ndodhin me këto kontrata, qeveria ka vendosur disa kushte paraprake.

Para nënshkrimit të kontratës, ku përmbahen dhe termat e dhënies në përdorim të pasurisë së paluajtshme, me tarifë 1 euro, investitori është i detyruar të kryejë pagesën e garancisë, në masën 10% të vlerës së investimit (të paktën 5 milionë euro). Garancia kthehet pas përfundimit të çdo faze të investimit, por jo më shumë se në tri këste, sipas fazave të investimit. Në kontratat me tarifën 1 euro vendosen sanksione për rastet kur investitori nuk realizon kushtet e saj.

Për mosrealizim të investimit në përfundim të fazës përkatëse, ai ndëshkohet me 1% të vlerës së investimit të parealizuar në atë fazë dhe, nëse pas 6 muajve investimi nuk realizohet, kontrata zgjidhet nga institucioni shtetëror që e ka lidhur atë, duke marrë si gjobë, masën e garancisë së depozituar në atë periudhë. Ecuria e marrëveshjeve do të monitorohen nga Ministria përgjegjëse për Turizmin, konkretisht nga njësia monitoruese e kontratave.

Kjo njësi ka të drejtë të propozojë te ministri ndërhyrje apo penalitete, sipas kontratës me investitorin, në rastet kur vërehen parregullsi në zbatimin e saj. Në rastin e investitorëve me status “Investitor strategjik i veçantë”, sipas ligjit “Për investimet strategjike”, Këshilli i Ministrave mund të vendosë, transferimin e së drejtës së pronësisë së pasurive të paluajtshme shtetërore tek investitori privat, duke e kushtëzuar transaksionin me realizimin e plotë të investimit. Vënia në dispozicion e pasurive të paluajtshme shtetërore, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, bëhet me afat deri në 99 vjet. Pasuritë e paluajtshme shtetërore vihen në dispozicion me tender të shpallur nga Ministria përgjegjëse për Turizmin.

Pin It