Ristrukturohet taksa e hapësirës, tregtarët sërish të pakënaqur

Erion-Velijaj

Veliaj bëri tërheqjen e tij finale, e megjithatë tregtarët kanë mbetur sërish të pakënaqur. Ata theksojnë se taksat mbeten të larta për shpenzimet e tyre, betejë të cilën këmbëngulin se do ta vazhdojnë në vazhdim në mbledhjen e radhës të këshillit bashkiak, gjatë zhvillimit të së cilës, përpara bashkisë do të ketë sërish protestë. Zerim i taksës për tavolinë, faturat e muajve janar-shkurt do të llogariten me tarifat e vjetra si dhe rikategorizim të hartës së Bashkisë së Tiranës për tarifat që duhet të paguajnë bizneset, që zënë hapësirat publike. Kjo është marrëveshja e arritur mes tregtarëve dhe Bashkisë së Tiranës, në zyrën e kësaj të fundit, dje pasdite. Marrëveshje që gjithsesi për sa shprehen tregtarët është e papërballueshme nga ana e tyre.

“Bëhej fjalë për një negociatë të vështirë me tre raunde që kërkonte të largonte falimentin nga dyert e biznesit të vogël dhe të mesëm, por negociata që u zhvillua sot (dje) prek dhe biznesin e madh. Nga oferta që erdhi përfitojnë të gjithë. Bëhet fjalë për një marrëveshje që zeron taksën e tavolinës që ishte 25 mijë lekë për tavolinë”, u shpreh avokati i tregtarëve pas takimit të djeshëm mes kryebashkiakut, Erion Veliaj, dhe përfaqësuesve të Bashkisë së Tiranës.

Sipas tij, tarifa e hapësirës publike për të ruajtur parimin që rrugët kryesore duhet të lirohen dhe duhet të ngushtohen në sipërfaqe, për ata që abuzojnë me sipërfaqen u dha një propozim i cili e hartëzon Tiranën. “Do të kemi një ristrukturim, për këtë arsye të gjithë ata që kanë qenë zona B kalojnë në zonën C, ku metri katror vlerësohet me 400 lekë, ndërsa të gjithë ata që kanë qenë zonë A kalojnë në zonën B me 7500 lekë metri katror. Zona A mbetet vetëm pjesa e Bllokut, Bulevardi i Tiranës dhe kompleksi qeveritar në qendër. Kjo ndarje e re e ristrukturon në një mënyrë të tillë taksën e hapësirës që është e rëndë, por nuk është falimentuese”, sqaroi avokati, sipas të cilit u takon tregtarëve të vendosin nëse do ta pranojnë ose jo këtë propozim.

 

 

Pin It