Plani Urbanistik i Tiranës, Veliaj: Kryeqytet modern dhe policentrik

tiranaree

Bashkia e Tiranës prezantoi të hënën draftin final të planit urbanistik të kryeqytetit para se ta kalojë për miratim në mbledhjen e Këshillit Bashkiak në 29 dhjetor.

Kryebashkiaku Erion Veliaj e cilësoi planin si projektues të një kryeqyteti modern europian, duke theksuar se Tirana do të jetë një bashki policentrike me shumë sheshe e parqe publike edhe në lagjet periferike. Plani Urbanistik pritet të sjellë dhe hapjen e shkollave të reja.

Veliaj tha se projekti merr parasysh të gjitha zhvillimet demografike që ka pësuar dhe që pritet të pësojë kryeqyteti në të ardhmen.

“Vetëm ndryshimi demografik dhe gjeografik i Tiranës, qoftë si shtesë 30% e popullsisë apo si rritje 25 herë e territorit, nënkupton që një pjesë nuk mund të vlejë për të tërën dhe Tirana urbane që ne kemi sot nuk vlen për të tërën. Ne kishim nevojë absolute për një plan të ri. Jo vetëm kaq. Plani i kaluar parashikonte një Tiranë të ngjeshur nga ana urbane që në 15-20 vitet e ardhshme parashikonte 4.5 milionë banorë. Kjo ne na u duk pak e paarsyeshme. Nuk mund të kemi një Shqipëri e gjysmë vetëm në Tiranë. Nuk i paragjykoj fare motivet, por besoj që i kemi dhënë planit një masë pak më njerëzore duke parashikuar një Tiranë që në vitin 2030 ka 1.5, 1.6 milionë banorë pra rreth 1/3 e popullsisë së Shqipërisë, por jo diçka jorealiste. Besoj që plani ka përmasa më njerëzore.”

Veliaj bëri thirrje që debati për Planin Urbanistik të Tiranës të jetë teknik dhe jo  politik.

“Të gjithë bashkë kemi bërë një Tiranë të jetueshme këtë vit. Teksa na është rritur sistemi i banesave,e teksa na janë rritur zonat rezidenciale, bashkitë se kanë mbajtur më hapin. Ndaj dhe plani vendos në hartë sipas dendësisë dhe sipas distancës edhe se ku do të jenë shkollat e reja. Nëse kam një merak të vetëm, është që ta fokusojmë këtë në nivel teknik. Edhe unë si ju vij nga një ekip politik. Por unë besoj se i ka buzëqeshur buza këtij qyteti kur kemi bërë më shumë debat teknik se sa politik”, theksoi Veliaj.

Plani i përgjithshëm vendor është diskutuar në të 24 njësitë e Bashkisë Tiranë.  Kryetari i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, u shpreh se ky plan urbanistik është realizuar pas këshillimit me të gjithë ekspertët. Sipas tij Tirana sot është një histori suksesi

“Mirëpresim të dëgjojmë sesi Plani trajton dhe rregullon problemet e qytetit, lidhur me gjelbërimin, ambientin, energjinë,transportin,krijimin e qendrave të ndryshme, raportin e periferisë me qendrën kryesore, për më tej konceptin mbi zhvillimin dhe mbrojtjen e tokës nga tendencat e zaptimit në njësitë administrative që përfshijnë fshatrat,duke stimuluar agroturizmin dhe agrikulturën etj, deri te respektimi i hapësirave kulturore dhe  fetare në kryeqytet”, tha Dalipi.

Pin It