U prehsh në paqe Kristo Frashëri

Foto-Kristo-Frasheri-773x1030

Në Akademinë e Shkencave në Tiranë po mbahen homazhet në nder të akademikut Kristo Frashëri.

Profesor Frashëri ka një prodhimtari shkencore që mbulon një periudhë 70-vjeçare. Ai është autor i dhjetra artikujve studimorë, referateve historike, vëllimeve dokumentare e monografive shkencore.

Ditën e diel, më 31 janar 2016 në mbrëmje u nda nga bota intelektuale e mediatike një nga eruditët dhe polemistët më të mëdhenj të kohës, nga një vdekje natyrale. Kristo Frashëri e përjetoi historinë e shkruar në librat e tij, që nisin që nga etnogjeneza ilire deri në historinë e ditëve të sotme. Pinjoll i një familjeje të njohur patriotike dhe intelektuale të Frashëllinjve, ai u shqua si patriot dhe antifashist në vitet e okupacionit italian dhe gjerman, gjatë Luftës II Botërore. Shkroi e krijoi për gati pesë dekada në diktaturën komuniste. Më pas mendimet e tij të guximshme kanë luajtur një rol të rëndësishëm dhe kanë thithur vëmendjen mediatike e institucionale në rrugën drejt demokracisë.

Në sallën pritëse të Akademisë së Shkencave po zhvillohen homazhe në nder të ndriçuesit të historisë shqiptare i cili ndërroi jetë tre ditë më parë. Në ceremoni ishte i pranishëm kryeministri Rama, kreu i Kuvendit Ilir Meta, presidenti i Republikës Bujar Nishani, kreu i opozitës Lulzim Basha, miq, akademikë dhe të afërm të Frashërit.

Pin It