Duke filluar nga 1 janari i vitit 2017, i gjithë ekipi i urgjencave mjekësore në të gjithë vendin do të jetë i trajnuar për ofrimin e këtij shërbimi. Nga drejtuesit e ambulancave deri tek mjekët i gjithë personeli do të trajnohet në programe të ndryshme për të mundësuar një shërbim më cilësor ndaj qytetarëve.
Gjatë një takimi me mjekë e punonjës të sistemit shëndetësor në Fier, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, prezantoi sistemin e ri të riorganizimit të Urgjencave Mjekësore.
Beqaj tha se do të trajnohen të gjithë punonjësit, që nga shoferët e deri tek mjekët.
“Të gjithë ata që do të punojnë si drejtues ambulance duhet të dinë të kryejnë edhe detyra të tjera si pjesë e punës në ekipin e shërbimit. Siç trajnohen mjekët dhe infermierët, ashtu do të trajnohen me programe të edukimit në vazhdim edhe shoferët dhe punonjësit e tjerë të këtij shërbimi,” tha Beqaj.
Kreu i shëndetësisë deklaroi se është planifikuar gjithashtu një rishpërndarje e autoambulancave, në mënyrë që ato të mbërrijnë më herët te pacienti.