Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë do të verifikojë saktësinë e të gjithë matësave të energjisë elektrike në terren. Ndërkohë që për këtë verifikim do të duhet të paguajnë vetë qytetarët.
Ministri i Financave Arben Ahmetaj dhe Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri kanë nxjerrë një udhëzim i cili parashikon kontrollin e të gjithë sahatëve të vendosur në banesa, pallate dhe në biznese.
“Verifikimi i matësve të energjisë elektrike kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë (DPM), ose nga një person juridik i autorizuar prej saj, i akredituar sipas legjislacionit në fuqi. Verifikimi i matësit realizohet në terren, aty ku matësi është i instaluar, pranë laboratorit të DPM¬së, ose personit juridik të autorizuar prej saj”, – thuhet në këtë udhëzim.
Në udhëzim thuhet gjithashtu se tarifa e verifikimit do të paguhet nga vetë qytetarët dhe vlera e saj mund të shkojë deri në 2780 lekë të reja.
“Për shërbimin e verifikimit të matësve të energjisë elektrike, të kryer nga DPM¬ja ose nga personi juridik i autorizuar prej saj, paguhen vlerat financiare të rëna dakord ndërmjet palëve, pa tejkaluar tarifat tavan të cilat përcaktohen në këtë udhëzim. Periodiciteti i verifikimit të matësve të instaluar të klientit përcaktohet në Kodin e matjes ndërsa llojet e shërbimeve që do të kontraktohen, sasitë dhe kushtet e realizimit të verifikimit të matësve, përcaktohen në kontratën tip të miratuar nga ERE dhe të nënshkruar ndërmjet palëve. Tarifat e verifikimit të matësve të energjisë elektrike derdhen në bankë në numrin e llogarisë së Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë dhe Kalibrimit, drejtorive rajonale, degëve, zyrave të saj, ose të personit juridik të autorizuar prej saj.”