A mund të jenë shkollat burimi i paqes në një shoqëri?

Many hand holding graduation hats on background of blue sky.

A mund të jenë shkollat burimi i paqes në një shoqëri?[1]

Njeriu nuk është një qenie e cila përbëhet vetëm nga trupi, vetëm nga mendja, vetëm nga ndjenjat apo vetëm nga shpirti. Trupi i tij vazhdimisht rrotullohet në rrjetën e nevojave; mendja e shtyn të mendojë për nevoja akoma më të thella që ka, për të kaluarën e tij e për dyshimet ndaj të ardhmes dhe e nxit të pyesë veten: “Çfarë jam unë? Ç’është dhe kujt i përket kjo botë? Çfarë kërkon jeta dhe vdekja nga unë? Kush dhe me ç’qëllim më dërgoi mua në këtë botë? Ku po shkoj dhe cili është qëllimi i kësaj jete? Kush është udhëzuesi im në këtë botë?”; përtej mendjes, ndjenjat kërkojnë kënaqësi më të madhe dhe shpirti që i jep identifikimin e kompletuar. Sipas meje, njeriu do ta arrijë lumturinë e vërtetë vetëm atëherë kur t’i plotësohen të gjitha nevojat dhe të vlerësohet me të gjithë aspektet e tij. Në këtë pikë, zhvillimi dhe përparimi i tij në aspektin qenësor mund të arrihet vetëm me arsim.

Njeriu vjen në këtë botë me nevojën për të mësuar gjithçka. Detyra e vërtetë që i takon të kryejë në këtë botë kalimtare është marrja e patentës për të kaluar në botën tjetër duke përdorur mendjen, logjikën, sjelljen e mire; duke qenë drejtues dhe kontrollues i zemrës dhe shpirtit; duke aktivizuar të gjithë fakultetet shpirtërore; duke kuptuar të gjitha misteret e të fshehtat që ekzistojnë, duke kuptuar kuptimin e qenies së tij dhe kështu kuptimin e plotë të të qenit njeri. Për këtë arsye, megjithëse deri tani nuk ka qenë e mundur, duhet që tani sistemi arsimor të jetë i tillë që të përfshijë ndriçimin e mendjes me dituri dhe me mbushjen e zemrës dhe shpirtit me besim e virtyte. Një botëkuptim i tillë që e lartëson nxënësin mbi krahët e dijes dhe besimit dhe e shtyn atë të fitojë pëlqimin e Zotit duke i shërbyer shoqërisë e njerëzimit, do të jetë shumë i vlefshëm për brezat e ardhshëm. Të paktën, duke e përdorur dijen për qëllime të mira, do ta shpëtojë atë nga aspektet e dëmshme dhe nga materializmi që e përdor atë si një armë asgjësuese. Pra, një pikëpamje e tillë, do të parandalojë fenë të jetë e çalë dhe shkencën të verbër. Atëherë dhe feja nuk do të jetë larg mendjes, e shkëputur nga jeta dhe shkenca dhe nuk do të jetë një institucion fanatizmi që vendos mure mes njerëzve dhe popujve.

Shpeshherë flasim për globalizmin si rezultat i zhvillimit të telekomunikacionit dhe zvogëlimit të distancave. Tanimë, popujt, sado larg që të jenë, po bëhen fqinjë. Por kjo nuk do të thotë se popujt po humbasin traditat kombëtare të tyre. Përkundrazi, këta do të vijojnë duke mos i hapur rrugë konfliktit, por duke mbetur si faktorë që do të shtojnë e zbukurojnë mozaikun e këtyre popujve dhe shteteve. Tek ne ka një fjalë të urtë: “njeriu ka nevojë edhe për hirin e fqinjit”. Nëse ju nuk keni as hi për t’i dhënë fqinjit, atëherë mos prisni asnjë vlerësim nga të tjerët. Ndërkohë, çdo popull ka ç’të japë dhe ç’të marrë nga popujt e tjerë. E ndër mjetet më tepër efikase në këtë bashkëveprim patjetër që janë shkollat dhe institucionet arsimore.

Kur folëm për Afrikën, thamë se tre armiqtë kryesorë ishin injjoranca, varfëria dhe përçarja.[2] Injoranca mund të marrë fund me dituri, varfëria me punë, kurse përçarja me bashkëpunim, dialog dhe mirëkuptim. Për këtë arsye, meqënëse të gjithë problemet bien mbi njeriun, rruga e parë për të kapërcyer këtë është arsimi. Arsimi është rruga më e mirë për t’i shërbyer njerëzimit. Meqë sot po jetojmë në një botë globale, edhe shërbimi ndaj njerëzimit edhe dialogu midis qytetërimeve do të arrihet pikësëpari me arsimim.

Ne na takon që të rrisim një gjeneratë të tillë e cila përkrah mendjes dhe eksperiencës, i jep rëndësi edhe ndërgjegjes dhe botës së brendshme. Kjo gjeneratë do të kërkojë perfekten në gjithçka, do të vendosë ekuilibrin midis kësaj bote dhe asaj që na pret, si dhe do të forcojë lidhjen mendje-zemër. Po ashtu, ky brez do të mendojë, do të besojë, studiojë dhe do të pajiset me vlerat më të larta morale. Nuk do të braktisë kurrë vlerat morale kur të përdorë të gjithë këto kushte moderne. Kjo gjeneratë e dashuruar pas së drejtës dhe përfaqësuese e sigurisë, nuk do i kushtojë rëndësi jetës material, rehatisë dhe luksit. Të gjithë këto mirësi që u ka dhuruar Zoti do i përdorin për të mirën e njerëzimit.

Gjenerata e re do të jetë e tillë që do të luftojë vazhdimisht për rrugën e dijeve, do të edukohet me vlerat më të larta morale, me fushat më të gjera të zhvillimit, me mendimin e drejtë dhe nuk do të mjaftohet me atë që zotëron. Kjo gjeneratë e pajisur pra me vlerat më të larta njerëzore, do të parapëlqejë të tjerët në vend të vetvetes, në vend të jetës së tij do të zgjedhë atë të të tjerëve dhe do të dijë të sakrifikojë lumturinë e vet për atë të të tjerëve.

/Fethulllah GYLEN/

 

 

 

[1] Shkëputur nga një intervistë e Fethullah Gylenit për gazetën “Daily Nation”, Ese, Perspektiva, Opinione, Prizmi, 2008.

[2] I referohet një pyetjeje të bërë më herët në intervistë.

Pin It