Vullnetarë në Polici, Tahiri fton qytetarët të kontribuojnë në sigurinë publike

shkolla-e-policise-se-shtetit

Policia e Shtetit do të pranojë së shpejti vullnetarë në radhët e saj. Lajmnin e bëri të ditur Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, gjatë fjalës së tij në konferencën ‘Kontributi në sigurinë publike nëpërmjet arsimimit’.

Tahiri tha se vullnetarët do të jenë të barabartë me policët me ndryshimin e vetëm se ata nuk do të mbajnë armë. Përveç kësaj në të ardhmen këta vullnetarë mund të fitojnë të drejtën e rekrutimit në Policinë e Shtetit.

“Vullnetarët mund të shërbejnë kudo, njëlloj siç ndodh me mjedisin. Pas vullnetarizmit, mund të bëhet rekrutimi i të rinjve në Policinë e Shtetit,” – u shpreh ministri Tahiri.

“Nesër mund të jenë të rinj që duan ti bashkohen policisë së shtetit që të jenë pjesë e trupës, por mund të jenë të rinj që janë të realizuar në profesionet e tyre dhe duan që dy orë ti shpenzojnë bashkë me policinë në detyrat që kryen policia në ndihmë të qytetarëve. Në vendet e BE ka mjekë që pas 8 orarëshit të punës shpenzojnë dy orë duke kontribuar vullnetarisht në polici, ka juristë. Ka çdo lloj profesioni, profesionisti që ndihmon policinë të bëjë punën si duhet. Besoj se do vijë koha dhe në Shqipëri që policia e shtetit të jetë një mjedis që u jep mundësi të rinjve dhe të rejave jo detyrimisht duke u punësuar por dhe vullnetarisht të bëhen pjesë e asaj force pozitive në një lagje apo qytet që imponon dhe dikton rregullat e bashkëjetesës, sundimit të ligjit, mundësinë që siguria të jetë kontribut i të gjithëve,” – tha Tahiri.

Pin It