WiFi duke përdorur rrezen e dritës

Kafenetë Starbucks kanë vendosur Wi-Fi-n më të shpejtë që mund të kemi parë ndonjëherë, 9 megabit për sekondë. Por studiues në Holandë kanë një linjë tjetër interneti, që e lë shumë pas atë të Starbucks-it.

Wi-Fi që përdorim përcillet përmes valëve të radios dhe kjo nuk është gjë e mirë, pasi nënkupton se ai përdoret nga shumë njerëz njëkohësisht e për pasojë, është i ngadaltë:

“Problemi me rrjetet aktuale të Wi-Fi është fakti se kemi vetëm një antenë në dhomë ose ndonjëherë, edhe në gjithë ndërtesën. Kjo do të thotë se të gjithë në atë ndërtesë e marrin internetin nga i njëjti burim”.

Ndërkohë, kjo teknologji e re përdor rreze individuale të dritës nga një receptor në dhomë.

Këto rreze janë kaq të përqendruara, sa mund ta ndërpresësh sinjalin edhe thjesht duke vendosur dorën përpara tyre.

Por ky sinjal ama, është i gjithi yti. Nuk e ndan me askënd:

“Receptori është vendosur në një pozicion të caktuar për të dërguar valën këtu. Por nëse përdoruesi zhvendoset në një pozicion të ri në tavolinë, duhet dërguar një valë e re tek ai përdorues”.

Çdo rreze individuale drite është burim interneti:

“Jemi përpjekur të krijojmë një alternativë për Wi-Fi dhe aktualisht po përdorim rreze drite, ku secila prej tyre është një sinjal shumë i fortë. Praktikisht është si një fibër optike, por pa pasur një fibër”.

Kjo përkthehet në internet me shpejtësi 300 herë më të madhe se WiFi më i fuqishëm që kemi për momentin…

“Maksimumi i shpejtësisë që kemi arritur deri tani është 112 gigabit për sekondë. Bëjmë një përllogaritje të thjeshtë… nëse një disk DVD-je, fjala bie, është 40 gigabit, i bie që me teknologjinë e re të transmetojmë gati tre DVD brenda një sekonde, me një rreze të vetme drite”.

Ky sistem i ri është më i lirë dhe më i sigurtë se Wi-Fi, pasi rrezet e dritës janë kaq të përqendruara, saqë askush nuk mund ta hakerojë linjën.

Studiuesit thonë se kjo teknologji do të përhapet brenda pesë vitesh./VOA/

Pin It