Gjykata Kushtetuese pezulloi ligjin e Vetingut, duke e dërguar atë në Komisionin e Venecias. Vendimi i Kushtetueses bazohet në disa dyshime për të cilat ajo kërkon ekspertizën dhe opinionin e Komisionit të Venecias.
Konkretisht Kushtetuesja dyshon se ligji i Vetingut bie ndesh me dy nene të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkatësisht nenet 6 dhe 8, si dhe me disa nene të Kushtetutës.
Referuar nenit 6, Kushtetuesja ka dyshime se ligji i Vetingut shkel të drejtën e një procesi të rregullt ligjor. Neni 6, përpos të tjerave, e vë theksin tek elementi i afatit të arsyeshëm për shqyrtimin e çështjes së një personi, pasi parashikon afate për shqyrtimin e rasteve.
Dyshimi i dytë i Gjykatës Kushtetuese, ka të bëjë me të drejtën e respektimit të jetës private dhe familjare gjatë procesit të Vetingut. Por PD dhe PS kanë miratuar me konsensus ligjin e SPAK, i cili parashikon që njerëzit e drejtësisë duhet të heqin dorë nga privatësia, duke plotësuar një deklaratë.
Kushtetuesja ka dyshime se ligji i Vetingut shkel ndarjen e pushteteve dhe kufizon të drejtat dhe liritë e parashikuara në Kushtetutë. Në vendim përmendet edhe neni 32, sipas të cilit askush nuk mund të detyrohet të dëshmojë kundër vetvetes ose familjes së vet dhe as të pohojë fajësinë e tij.
9 referencat ligjore të Kushtetueses për pezullimin e ligjit të Vetingut
- E drejta për një proces të rregullt, NENI 6 KEDNJ. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij.
- E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare, NENI 8 KEDNJ. Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.
- E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit. Neni 4 i Kushtetutës.
- Sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor. Neni 7 i Kushtetutës.
- Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë. Neni 17 i Kushtetutës.
- Askush nuk mund të detyrohet të dëshmojë kundër vetvetes ose familjes së vet dhe as të pohojë fajësinë e tij. 2. Askush nuk mund të deklarohet fajtor mbi bazën e të dhënave të mbledhura në mënyrë të paligjshme. Neni 32 i Kushtetutës.
- Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetues dhe ligjorë, ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj. Neni 42 i Kushtetutës.
- Secili ka të drejtë të fitojë mjetet e jetesës së tij me punë të ligjshme, që e ka zgjedhur ose pranuar vetë. Ai është i lirë të zgjedhë profesionin, vendin e punës, si dhe sistemin e kualifikimit të vet profesional. Neni 49 i Kushtetutës.
- Gjyqtarët janë të pavarur dhe u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. Ndërhyrja në veprimtarinë e gjykatave ose të gjyqtarëve passjell përgjegjësi sipas ligjit. Neni 145 i Kushtetutës.