Mjekët në grevë, “urdhëri i minisrit Beqaj është absurd”

protesta-e-mjekeve

Të shqetësuar nga vendimi i papritur i ministrit të Shëndetësisë, sipas të cilit, punonjësit e urgjencës së Tiranës  do të transferohen në spitalet: “Nënë Tereza”, “Shefqet Ndroqi” dhe në spitalin e traumës,  mjekët kanë dalë sërish në protestë, duke ritheksuar se urdhri nënkupton qartë që urgjenca do shkrihet, çka për ta është absurde.

Kështu, pavarësisht sqarimit të Ministrisë së Shëndetësisë, në adresë të mjekëve, këta të fundit këmbëngulin se janë në dijeni që urgjenca do të jepet me koncesion dhe se në vendin ku pozicionohet aktualisht ky shërbim do të ndërtohet një pallat. “Ministri Beqaj nuk i dëgjoi propozimet tona, mbrojti propozimet e veta. Nuk do pranojmë kurrsesi të shkrihet urgjenca. Për këtë arsye do të hyjmë në grevë urie. Akoma sot edhe pse ka firmosur një urdhër me duart e tij, nuk na ka njoftuar nga afër se çfarë do bëhet me këtë shërbim ku kemi punuar me mund për vite të tëra apo se çfarë do bëhet nga stafi. Edhe spitalet ku do transferohemi i mësuam nëpërmjet mediave. Kjo nuk është korrekte. Beqaj të vijë të na takojë, të bisedojë me ne dhe të na japë garanci së pari që urgjenca mjekësore e Tiranës nuk do të mbyllet dhe së dyti që paga jonë nuk do të preket, edhe pse do të transferohemi në spitale të tjera”, tha një prej mjekëve, që punon në shërbimin e urgjencës së Tiranës, prej mbi 20 vitesh.

“Do ta shkrijnë institucionin, na e komunikuan verbalisht. Na kanë shpërndarë në tri spitale terciare. Ne jemi mjekë familjeje patologë, nuk jemi për spital terciar. Shkrihet shërbimi, që toka të shfrytëzohet për pallat. Shërbimin duan t’ia japin me koncesion një kompanie. Jemi me 10-30 vjet përvojë, po na largojnë nga puna. Në dy vitet e fundit, në urgjencën e Tiranës, nuk ka pasur asnjë investim. Gjysma e automjeteve janë jashtë funksionit. Degradimi i urgjencës është bërë me qëllim shkrirjen e saj”, shprehet një tjetër mjek. Mirëpo, thirrjes së mjekëve për të realizuar një takim me ministrin Beqaj, ky i fundit nuk i është përgjigjur ende, duke lënë në fuqi njoftimin zyrtar të dy ditëve më parë, i cili theksonte se nuk bëhet fjalë kurrsesi për mbyllje apo shkrirje të urgjencës, por për rikonstruksion të tij, me qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimit. “Personeli mjekësor dhe ndihmës që deri më sot ka punuar pranë urgjencës së Tiranës do të vijojë të jetë pjesë e institucioneve shëndetësore të Tiranës, madje duke u përfshirë në njësi të urgjencës mjekësore shumë më të kualifikuara se deri më sot.

Në strukturën organizative të çdo spitali universitar, rajonal dhe bashkiak, ku do të ketë të paktën katër autoambulanca, është përcaktuar koordinatori i flotës së autoambulancave si pjesë e shërbimit të urgjencës së spitalit përkatës”, sqaron zyra e shtypit në Ministrinë e Shëndetësisë. Në njoftimin zyrtar të MSH-së theksohet gjithashtu se asnjë individi nuk i cenohet niveli aktual i të ardhurave mujore që buron nga marrëdhëniet e punës. “Për organizimin e funksionimit të urgjencës mjekësore në vend po ngrihet Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore. Në këtë qendër, veç të tjerash, do të funksionojë dhe shërbimi kombëtar i komandës dhe kontrollit, pra i pranimit të çdo thirrjeje që do të vijë në numrat telefonikë të urgjencës dhe dhënia e urdhrit autoambulancës që do të shërbejë për thirrjen konkrete. Punimet për ngritjen e godinës kanë filluar në gusht 2015 dhe pritet të përfundojnë në qershor 2016, thuhet në njoftimin zyrtar të MSH-së, ku shtohet se një pjesë e funksionimit jo të mirë të shërbimit të urgjencës mjekësore lidhet edhe me vendndodhjen e papërshtatshme të autoambulancave në territorin e vendit.

Pin It