“Brexit”, kryeministrja May: Procesi nis marsin e ardhshëm

tereza-mey

Plani për daljen nga Bashkimi Europian është gati dhe Britania e Madhe do të nisë procesin e divorcit brenda marsit të vitit 2017, kur edhe do të kërkohet zbatimi i “nenit 50” të Traktatit të Lisbonës.

Këtë e tha kryeministria britanike, Theresa May, e cila premtoi gjithashtu një ligj për shfuqizimin e marrëveshjes që vulosi hyrjen e Mbretërisë së Bashkuar në union. I ashtuquajturi “European Communities Act”, i nënshkruar në 1972-shin i dha shtysë zbatimit të të drejtës komunitare dhe me shfuqizimin e këtij akti, Britania e Madhe do të shkëputet zyrtarisht nga Bashkimi Europian.

Ky, – siç tha May për BBC-në, – është hapi i parë për ta bërë sërish Britaninë një vend sovran e të pavarur. Në këtë mënyrë, kryeministrja shpreson t’i japë fund presioneve të disa pjesëtarëve të rëndësishëm të partisë së saj, që i kërkonin të shfuqizonte menjëherë aktin e 1972-shit, e për të prezantuar planin për divorcin nga unioni.

Njoftimi i kryeministres vjen pas deklaratave të ish-ministrit Kenneth Clarke, se do të duheshin rreth 8 vite për të mbërritur deri te shkëputja përfundimtare. Dy vite, sipas tij, ishin të nevojshëm për firmosjen e marrëveshjeve të kalimit, ndërsa do të duheshin 5 ose 6 vite të tjera për t’i vënë në praktikë.

Clarke është pjesë e grupit të konservatorëve që duan një marrëdhënie të fortë me Brukselin. Sipas një sondazhi të “Ipsos Mori”, 77 për qind e britanikëve mendojnë se përpos tregtisë, Britania e Madhe duhet të vazhdojë të punojë me BE-në për shumë çështje të tjera, kryesisht për sigurinë dhe ndryshimet klimatike.

Pavarësisht sondazheve që flasin në favor të konservatorëve, në intervistën e saj, May përjashtoi mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, që sipas saj do të shkaktonin paqëndrueshmëri.

Pin It