Bushati: Çështja çame nuk zgjidhet me kërcënime

auto_ministri-i-jashtem-i-shqiperise-ditmir-bushati1474546361

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka qetësuar tonet e replikave të ditëve të fundit mes Shqipërisë dhe Greqisë duke bërë thirrje për shmangien e konflikteve dhe ruajtjen e fqinjësisë së mirë.

Përmes një konference për shtyp Bushati tha se çështja çame nuk mund të zgjidhet me kërcënime, por vetëm sipas parimeve ndërkombëtare.

“Shqipëria është e palëkundur për të qenë një vend inspirues i politikës së mirë, të drejtë dhe të ndershme mbi bazën e ndërsjellë me fqinjët tanë dhe është një vend i cili do të vazhdojë të kultivojë këtë përqasje në rajon. Është një vend i cili ka shfaqur qartë, hapur të gjitha pozicionet dhe pikëpamjet në lidhje me disa çështje të mbartura, të cilat duam t’i zgjidhim dhe t’i trajtojmë në kuadër të vlerave evropiane dhe parimeve ndërkombëtare, që nuk njohin as gjuhën e kërcënimit, dhe as konsumin e brendshëm për çfarëdo lloj rrethane që mund të jetë ky konsum”, tha Bushati.

Marrëdhëniet mes dy vendeve u tensionuan gjatë javës së fundit pas reagimit të ashpër të Greqisë ndaj projektit të shëtitores së Himarës, i cili parashikon prishjen e disa banesave të minoritetit grek.

Ndërsa kryeministri Rama replikoi me fqinjët përmes postimit të një gravure në faqen e tij dhe deklarimit se Akropoli u shpëtua nga një shqiptar. Rama gjithashtu deklaroi dje në Kuvend se Greqia duhet të heqë ligjin e luftës dhe të njohë pronat e çamëve.

 

Pin It