Debat në parlament, Rama –Dule për dekriminalizimin

14576061971457100284kuvendisot

Edhe këtë të enjte nuk kanë munguar debatet në seancën e radhës parlamentare. Gjatë kësaj të enjteje është vënë re një replikë midis kreut të qeverisë Edi Rama dhe kryetarit të PBDNJ-ësë Vangjel Dule. Në fjalën e tij në parlament Dule tha se kuvendi është mbushur me kriminel dhe se koalicioni qeverisës nuk po respekton parimet me të cilat përfaqësohej kur ishte në opozitë. Gjithashtu Dule komentoi edhe qëndrimin e deputetit Blushi.  “Një qeveri që erdhi në pushtet me zgjedhje të lira, por dështoi të bënte zgjedhje të lira. Një opozitë që erdhi në pushtet me sloganin e fjalës së lirë, sot po linçon ndaj një politikani. Ju nuk mund të pengoni një politikan të gjykojë ecurinë politike në një vend. Zotërinj deputetë, mos u verboni nga interesat e momentit. Vendi ka nevojë për reforma, jo uzurpime apo alibi”, ka thënë Dule.
Rama: Kriminalizim është përbaltja me fakte të fabrikuara
Duke iu përgjigjur akuzave, kryeministri Edi Rama iu drejtua ish-aleatit të tij duke thënë: “Ti je një mik i mirë dhe përgjithësisht i vëmendshëm. Nuk e kuptova pse ishte i pavëmendshëm ndaj fjalës time ditën që ktheu përmbys atë që unë thash”.
“Unë nuk thash jemi të gjithë bashkëfajtorë, nuk thash jemi të gjithë kriminelë. Dhe unë i pari e thash se jemi kriminelë të trajtuar si të tillë për vite e vite të tëra”, ka thënë Rama.
Ai ka thënë se, “akuzat mbi mua, kryetarin e Kuvendit dhe gjithë që janë këtu janë tregues ulëritës i faktit se problem madhor nuk është dekriminalizimi, por kriminalizimi i kundërshtarit me çdo mjet, çdo kusht e çdo çmim”.
“Kriminalizimi i çdo ideje, i çdo përpjekjeje, i çdo pune. Ky është problemi i madh i yni. Kriminalizimi përmes faktesh të fabrikuara, që shiten si liri, kundërshti apo demokraci”, ka vijuar Rama.
“Ti je i vjetër këtu, je dëshmitar i vjetër i këtij Kuvendi. Ja ku janë ata që dalin të përbaltur në dinjitetin e tyre, në fëmijët e tyre, fisin dhe gjithçka që kanë më të shtrenjtë, njësoj si në kohën e vjetër. Vetëm me një ndryshim, atëherë përfundoje me plumb, ndërsa sot përfundon me baltë”, ka deklaruar Rama.
“Ne bëmë mirë që vendosëm një vijë të kuqe për gjithë ata që marrin një funksion publik apo që hyjnë në shërbimin publik. Dhe ishim unë dhe kryetari i Kuvendit që e propozuam, jo vetëm për ata që zgjidhen, por edhe ata që janë në administratë. E kam përdorur me neveri fjalën dekriminalizim, Shqipëria nuk është xhungël e Brazilit, ky është një parlament ku njerëzit kanë ardhur me anë të suksesit. Nuk të bën kriminel fakti që flet Saliu”, ka shtuar ai, duke i thënë ish-aleatit se, këtë që po bën e ka nga humbja.
Mes tyre kanë vijuar replikat.
Dule: Zgjedhje nuk kam humbur, por nuk mund të fitoj kur kam përballë këtë mekanizëm qeveritar.
Rama: Të ftoj të bëhesh pjesë e Partisë Socialiste. Eja në PS që të na përmirësosh.
Dule: Nuk do të pranoja kurrë të isha pjesë e PS-së që ka katandisur Rama. Jam i destinuar të humbas çdo proces zgjedhor kur përballë kam hajdutërinë.
Rama në Kuvend: Maxhoranca nuk ka person me rekorde kriminale
Kryeministri Edi Rama ka theksuar sërish në Kuvend se në radhët e maxhorancës nuk ka asnjë person me rekorde kriminale, duke iu përgjigjur akuzave të paraardhësit të tij, Sali Berisha.
“Ata ikin sepse në këtë Parlament dhe në anën e majtë të tij nuk ka asnjë person me rekorde kriminale. Ata ikin sepse ligji më ekstrem unikal në planet, i kaluar edhe me bekimin tonë për të ashtuquajturin dekriminalizimin të Parlamentit dhe politikës nuk arrin dot të zbulojë asgjë. Dhe gjithë ajo seancë absurde, 48 orë marrëzi, negociata të mbyllura 6 herë e rihapura 6 herë, për të çuar në ekstrem një formular qesharak ishte shprehja e dëshpërimit për faktin se ata 19 kriminelët që do kapeshin nga ky proces ishin vetëm pjellë e fantazisë së një propagande të shthurur që prodhon çdo ditë fakte të rreme”, tha Rama në seancë.
Madje ai shprehet se të inkriminuar ligjërisht nuk ka as në radhët e të zgjedhurve të qeverisjes vendore. Por sipas tij të inkriminuar politikisht janë të gjithë, duke nisur nga vetë Rama.
“Dhe ashtu siç nuk ka në këtë Parlament persona të inkriminuar nuk ka as në të zgjedhurit e popullit në qeverisjen vendore të inkriminuar ligjërisht. Pastaj persona të inkriminuar politikisht, ne jemi të gjithë këtu. Unë i pari, dhe kryetari i Kuvendit i dyti, kemi kryer të gjitha krimet që fantazia dhe eksperienca e Saliut mund të përmbledhë në sulmet me libër shpie të kundërshtarit”, vijoi Rama.
Rama i quan veprimet e opozitës si një betejë për të kriminalizuar shumicën qeverisëse. “Na nxorrën tani dekusarizimin. Pas dekusarizimit, kur të mos ketë as kusar këtu kushedi se ku do dalin”, vijoi Rama.
Ikën opozita, Berisha: PS, rrezik i madh kombëtar
Deklaratat e një dite më parë e deputetëve të PS-së, se vënë Partinë para Shqipërisë, janë komentuar ashpër nga ish kryeministri Sali Berisha. Madje, ai e ka quajtur PS-në një rrezik të madh kombëtar.
“Çdo diktator, çdo autokrat, aktin e parë që bën, atë nen të Kushtetutës që ma kufizon mua me dy mandate dua ta heq, se dua të jem i përjetshëm. Ju jeni rrezik i madh kombëtar, keni vënë gjithçka në funksion të partisë tuaj. Udhëtoni të gjithë për betejat partiake. Pse për këto e keni parlamentin ju? Ju u nënshtruar në funksion të mafias”, tha Berisha.
menjëherë pas fjalës së deputetit Sali Berisha opozita është larguar nga salla. Ndërsa Erjon Braçe e ka akuzuar PD-në se nuk i ka shërbyer asnjëherë këtij vendi.
“ Së pari, ky njeri që ka marrë dhe rolin e zotit në këtë vend, e bën me qejf, e shpalli PS-në si rrezik kombëtar. Kurrë. Në 25 vite PS nuk e ka vënë në rrezik këtë vend. Nuk ka as një rast të vetëm që kjo parti mos t’i ketë shërbyer këtij vendi dhe këtij kombi. Ka demonstruar në më shumë se një rast që partinë e tij nuk e ka për Shqipërinë”, tha Braçe.
Opozita nuk do të bllokojë Parlamentin, Paloka: Votojmë kërkesat tona
Opozita nuk do të bllokojë parlamentin këtë të enjte, duke marrë pjesë në votimin e amendamenteve që ajo vetë ka propozuar.
“Ne nuk do të bllokojmë këtë Parlament, do të marrim pjesë në votimin e akteve tona, po nuk do të jemi sot në sallë derisa kjo maxchorancë të reflektojë dhe t’i kthejë legjitimitetin kësaj salle dhe këtij Parlamenti”, tha kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka.
Në seancën e sotme janë pranuar kërkesat e PD-së, një amendament për dekriminalizimin dhe një propozim për rregulloren për komisionet hetimore.  Paloka tha se taktika e re e bllokimit nuk është më pengimi i krijimit të komisioneve, por bllokimi përmes kuorumit.
“Kemi përmbysjen totale të marrëveshjes së dhjetorit 2014. Në këto kushte amendamentet tona nuk kanë asnjë synim tjetër veçse rikthimin e legjitimitetit në parlament. Parlamenti duhet të tregojë qartazi që ka vullnetin të zbatojë ligjet që miraton vet, por dhe parimet mbi të cilat ngrihet ky Parlament. Dekriminalizim pa vullnet politik nuk ka”, vijoi më tej Paloka.
Në përgjigje të tij, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi tha se maxhoranca ka qënë luajale në zbatimin e marrëveshjes së dhjetorit 2014.  “Lidhur me marrëveshje politike ne jemi treguar shumë luajal që në fillim. Jemi treguar shumë seriozë në zbatimin e tyre, prandaj dhe kjo nuk është shkak por është një sebep. Ne nuk jemi këtu as tu bëjmë axhendën politike dhe as të zbatojmë axhendën tuaj. Nuk jemi këtui të ëprcaktojëm kush është kauza juaj”, tha Ruçi.

Pin It