Diaspora shqiptare shihet si një mundësi për të sjellë përvojën e kursimet në Shqipëri, por edhe si një urë informuese e promovuese tek investitorët potencialë në vendet ku ata jetojnë e punojnë. Ministra Milva Ekonomi tha se në Shqipëri po ndodhin revolucione të vogla të cilat lehtësojnë klimën e të bërit biznes.
Ekonomi tha se Shqipëria ofron lehtësira fiskale për investitorët e huaj dhe një forcë punëtore të re në moshë, e arsimuar dhe me vitalitet.
“Organizata botërore si Banka Botërore dhe FMN tregojnë se rritja ekonomike e Sshqipërisë është e ngadaltë por e qëndrueshme dhe tregojnë se Shqipëria këtë vit shënon një rritje ekonomike 3.2 % dhe në 2017 parashikohet që rritja ekonomike e Shqipërisë të jetë më e larta në Ballkan 3.7 %, ose vendi me shifrën e dytë më të madhe në vendet e Europës Lindore dhe Qëndrore”, deklaroi Ekonomi.
Ajo i ftoi biznesmenët shqiptarë në diasporë të shtojnë investimet e tyre në vend, pasi përmendi disa histori suksesi të këtyre investimeve në sektorë të ndryshëm.
Raste të tilla janë në industrinë e përpunimit të peshkut, fasonerisë, apo përpunimit të peletit në Bulqizë. Sipas Ekonomit janë histori suksesi, ku diaspora shqiptare ka marrë njohuri në vendet e BE-së apo SHBA dhe i ka sjellë këtu.
Ministrja tha se fusha me potencial për investime janë industritë e minerareve, bujqësia, turizmi etj.