ERE, Tarifë e re për energjinë e konsumuar nga biznesi

hidrocentral-420x217

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka miratuar një tarifë 12.4 lekë për konsumatorët (bizneset) që furnizohen nga tensioni i mesëm, por që faturohen për tension të ulët.
Kjo tarifë është 12.7 për qind më e lartë se çmimi i energjisë për biznese, prej 11 lekësh për kilovatorë, i miratuar me vendimin e dhjetorit 2014 dhe është e vlefshme deri në fund të këtij viti.

Gjithsesi, kjo tarifë është më e ulët se çmimi 14 lekë për kilovat orë, me të cilin OSHEE ka faturuar deri tani bizneset që furnizohen nga tensioni i mesëm, por që faturohen për tension të ulët. Prej më se një viti, kjo diferencë në faturim ishte bërë burim konflikti mes bizneseve dhe OSHEE, teksa shumë sipërmarrje kishin hedhur në gjyq OSHEE-në për faturim më të lartë se tarifa e vendosur nga ERE.

Në vendimin e fundit, ERE ka zgjedhur një çmim të ndërmjetëm për faturimin e kësaj kategorie të biznesit, duke dhënë një tarifë 1.6 lekë më të ulët se sa faturon OSHEE, por 1.2 lekë më shumë për kilovatorë nga sa kishte miratuar ERE me vendimin e fillimvitit 2015.

Bizneset (fabrika mielli, linjat e agro-përpunimit, fasonët) të cilët kanë energjinë si bazë për aktivitetin e tyre thonë se edhe tarifa e re e ERE-se prej 12.4 lekësh është sërish 34 % më e lartë krahasuar me çmimin e energjisë që këto biznese paguanin para dy vitesh, para se të tarifat e energjisë të rriteshin për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

Pin It