Europa League, luhen sonte ndeshjet çerekfinale

Luhen sot në mbrëmje ndeshjet e para çerekfinale të Europa League.

Në Bruksel, Anderlecht do të presë Manchester United, që konsiderohet si pretendenti kryesor për fitoren e trofeut.

Anderlecht gëzon një formë shumë të mirë në shtëpi në këtë kompeticion, pasi ka fituar 5 nga 6 ndeshjet e fundit. Ndërsa “Djajtë e Kuq”, në 6 ndeshje evropiane nuk kanë humbur asnjëherë dhe kanë një bilanc me 6 fitore dhe 1 barazim.

Celta Vigo do të presë në fushën e saj Genkun, me të cilin ajo përballet për herë të parë. Në këtë sezon, iberikët kanë shënuar një bilanc me 2 fitore, 2 barazime e 1 humbje në fushën e tyre, por kanë fituar në transfertë në 3 ndeshjet e fundit. Ndërsa Genk ka mundur të shënojë të paktën një herë në fushë kundërshtare, ndërkohë që për ndeshjet në shtëpi ka 7 fitore dhe 1 barazim.

Lyon-Besiktas është një tjetër sfidë interesante e Europa League. Skuadra franceze ka shënuar një mesatare të lartë të shënimit të golave me 16 të tillë në 4 ndeshjet e fundit. Kurse Besiktas nuk ka humbur asnjë ndeshje të Europa League që pas transferimit nga Liga e Kampioneve, duke regjistruar nje bilanc me 3 fitore dhe 1 barazim.

Në “Amsterdam Arena” është rezervuar sfida mes Ajax dhe Schalke 04. Skuadra holandeze nuk njeh humbje në fushën e saj në ndeshjet evropiane prej 11 ndeshjesh. Për më tepër, ajo ka mundur të fitojë 5 sfidat e fundit që ka luajtur në këtë impiant. Schalke ka arritur të kualifikohet për në çerekfinale edhe pse barazoi në 3 ndeshjet e fundit të saj. Pozitive për këtë skuadër është se në “Gelsenkirchen” ajo nuk njeh humbje, pasi ka 3 fitore dhe 2 barazime.

Pin It