Heqja e taksës së biznesit të vogël, bashkitë pa fonde

46009rritja-e-taksave

Katër muaj pas konstituimit të 61 bashkive të reja, bashkëpunimi me qeverinë qëndrore mbetet i vështirë. Kjo është shkaktuar përvec të tjerave edhe si pasojë e të ardhurave të kufizuara për shkak të boshllëkut që është krijuar nga heqja e taksës së biznesit të vogël.

Ky është një ndër konkluzionet e konferencës “Mirëqeverisja lokale për rritje ekonomike e punësim”, ku u evidentuan problematika të shumta jo vetëm me mungesën e fondeve, por edhe në funksionimit e bashkive të reja në raport me qytetarët. Një tjetër problem i evidentuar nga kontaktet me të zgjedhurit vendorë është mungesa e të dhënave, që janë bazë për krijimin e politikave zhvillimore. “Problemet që nxjerrin në pah të dhënat dhe që rëndojnë vendorët nuk zgjidhen nga qeveria qendrore dhe shkaku kryesor, janë mungesa e fondeve” u deklarua në takimin me drejtuesit vendorë.

Përveç mungesës së fondeve, bashkitë e reja kanë problem edhe në raport me qytetarët e tyre. Edhe pse në nëntor të 2015-ës ndryshoi ligji ‘Për të drejtën e informimit”, ku sanksionohet që vendorët kanë detyrimin të informojnë qytetarët mbi cështje që kanë lidhje direkte me ta, si paketa fiskale, buxheti etj nëpërmjet site on line apo seancave dëgjimore, kjo nuk zbatohet. Në fund të vitit të kaluar, qeveria vendosi heqjen e taksës së biznesit të vogël prej 25 mijë lekësh në vit, një fond ky që shkonte direkt në buxhetin e bashkive dhe zinte gati gjysmën e të ardhurave të tyre. Disa bashki janë përpjekur ta kompensojnë këtë mungesë përmes rritjes së tarifave e taksave të tjera.

Pin It