Kamikazët që shpërthyen në aeroport, janë dy vëllezër

1458719105_88906428_88906175

Autoritetet belge kanë bërë të mundur identifikimin e dy kamikazëve të cilët shpërthyen orët e para të mëngjesit të djeshëm në aeroportin e Brukselit ku si pasojë mbetën të vrarë 11 persona. Burime nga policia belge thonë se autorë të sulmeve terroriste janë dy vëllezërit Khalid dhe Brahim El Bakraoui, emra të dëgjuar për autoritetet pasi edhe më parë kishin precedent kriminal.

Mësohet se Khalid el-Bakraoui ka përdorur një emër të rremë për të marrë me qira një apartament në Bruksel, në zonën ku policia vrau një person të armatosur javën e kaluar gjatë një shkëmbimi zjarri.

Gjatë aksionit të policisë belge u gjetë një shenjë e gishtit të dyshuarit kryesorë për sulmet në Paris, Salah Abdeslam i cili u arrestua vetëm pakë ditë më parë.

Deri tani sipas raportimeve numri i viktimave të shkaktuara nga një seri shpërthimesh në Bruksel ka shkuar në 34 të vdekur. 11 prej tyre gjetën vdekjen në dy shpërthimet në aeroport ndërsa 23 të tjerë në shpërthimet në stacionin e metrosë së Maelbeekut

Ndërsa më shumë se 230 të plagosur janë nën kujdesin e mjekëve. Prokuroria belge ka konfirmuar se bastisjet që janë zhvilluar në lagjen Schaerbeek, periferinë veriore të Brukselit, kanë çuar në zbulimin e një mjeti shpërthyes që ndër të tjera përmbante gozhda.

Pranë tij hetuesit kanë zbuluar edhe produkte kimike dhe një flamur të të ashtu quajturit ISIS çka dëshmojnë se edhe këto sende mbajnë vulën e ISIS. Praninë e gozhdëve në bombat e terroristëve e ka konfirmuar edhe një grafi që i përket një pacienti të shtruar në spitalin ushtarak të Brukselit, të cilit në gjoks mjekët e kanë dalluar objektin.

Por, terrorin e shkaktuar jo vetëm në Bruksel por edhe më gjerë, militantët e ISIS e kanë cilësuar si triumfin e tyre dhe e kanë manifestuar nëpër rrjete sociale. Madje edhe përgjegjësinë për sulmin ata e morën përsipër në një postim online në faqen e tyre të lajmeve.

“Luftëtarët e Shtetit Islamik mbajtën një seri bombardimesh me breza dhe me pajisje kamikaze, duke shënjestruar aeroportin dhe stacionin qendror në qendër të kryeqytetit belg, Brukselit”, shkruhet në faqen zyrtare online të “Amaq”.

Pin It