Qeveria do të rishikojë të gjithë procedurën e rillogaritjes së pensioneve të ushtarakëve në rezervë dhe të liruar, të miratuar nga qeverisja e mëparshme. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mirëqenies, Blendi Klosi, gjatë një takimi që ai dhe drejtues të Institutit të Sigurimeve Shoqërore kanë bërë sot me përfaqësues të shoqatave të ushtarakëve në rezervë dhe në lirim. Gjatë fjalës së tij, ministri Klosi evidentoi se falë ndryshimeve ligjore të bëra nga qeveria e mëparshme në rillogaritjen e pensioneve të ushtarakëve, më shumë se 6800 ushtarakë përfitonin në mënyrë të paligjshme dhe u shpallën debitorë ndaj shtetit, duke i krijuar atij një borxh të përvitshëm, të cilin po e shlyejnë në mënyrë të vazhdueshme.
Pikërisht për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate emergjente, por edhe për të zgjidhur përfundimisht çështjen e trajtimit të ushtarakëve në rezervë dhe atyre në lirim, ministri Klosi bëri të ditur se qeveria ka urdhëruar ngritjen e dy grupeve pune, të cilat do të trajtojnë këto situata. Konkretisht, ai bëri me dije se njëri grup do trajtojë çështjen e debitorëve të shpallur si pasojë e ndryshimeve të bëra nga qeveria e mëparshme në legjislacion dhe grupi i dytë do ndërmarrë ndryshimet ligjore për të zgjidhur përfundimisht çështjen e ushtarakëve.
“Për të vënë në rrugën e zgjidhjes të gjendjes së krijuar me ushtarakët në rezervë dhe në lirim, qeveria shqiptare, nën kujdesin e drejtpërdrejtë të kryeministrit Edi Rama, kërkon të ngrihet një grup pune, i përbërë nga specialistë të institucioneve të specializuara në këtë çështje, me qëllim për të përcaktuar hapat ligjorë dhe institucionalë për eliminimin e debitorëve me përgjegjësi konkrete dhe po ashtu, afatet e përcaktuara qartë. Së dyti, ngritjen e një grupi pune ndërinstitucional me pjesëmarrjen e Ministrisë së Mirëqenies Sociale, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Rendit, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Drejtësisë, që kanë lidhje me këtë çështje, i cili do të hartojë bazën e nevojshme ligjore për një trajtim të drejtë, të ndershëm dhe realist të ushtarëve të liruar nga Forcat e Armatosura. Në këtë proces të rëndësishëm do të angazhohen plotësisht dhe ekspertë, përfaqësues nga organizatat ushtarake në rezervë apo në lirim”, – tha Klosi në fjalën e tij.