KM, jo më bombola në ambiente më të vogla se 10m3

bombola

Duke filluar nga viti i ardhshëm familjet nuk mund të instalojnë më bombola gazi në ambiente më të vogël se 10m3. Ndërkohë që mbushja e tyre do të bëhet vetëm në pikat e shitjes me shumicë e jo me pakicë. Këshilli i Ministrave miratoi rregulloren e re për përdorimin e bombolave të gazit e cila përcakton që kapaciteti total i bombolave të instaluara në një ambient familjar nuk duhet të jetë më i madh se 40 kg. Po ashtu, në ambiente me volum 10–20 m3 mund të instalohet një bombol me kapacitet deri 15 kg; Në ambiente me volum 20–50 m3 mund të instalohen deri në 2 bombola, me kapacitet jo më shumë se 20 kg; Në ambiente me volum mbi 50 m3 mund të instalohen 2 bombola, me kapacitet total jo më shumë se 30 kg.

Po ashtu, Konsumatorët e bombolave të GLN-së duhet të kenë të instaluar, në mjediset ku kanë instaluar dhe përdorin bombolat, sistem detektues e autobllokues të furnizimit me GLN. Konsumatori jo familjar që përdor bombol të mbushur me GLN, duhet të jetë i pajisur me një kontratë sigurimi me një shoqëri sigurimesh, për të garantuar rimbursimin e dëmeve të shkaktuara ndaj palëve të treta, në rast aksidenti prej këtyre sistemeve dhe bombolave të GLN-së.

Pin It