Krimi në familje, nënkryetari i KMSH-së mban ligjëratë ndërgjegjësuese

Ngjarjet e krimit në familje gjatë ditëve të fundit ishin tema qendrore e ligjëratës së nënkryetarit të KMSH-së, Gazmend Aga, ditën e premte në xhaminë Et’hem Beu. Aga e trajtoi problematikën duke sjellë në vëmendje rëndësinë që i jep islami raporteve në familje dhe veçanërisht sjelljes ndaj vajzave e grave.

Nënkryetari i Komunitetit Mysliman tha se statistikat rreth keqtrajtimit të femrës janë shqetësuese për çdo qytetar dhe nuk i kanë hije njeriut si qenie e lartë. Prandaj ai prezantoi shembullin e sjelljes së profetit Muhamed (sas) ndaj femrës, në familje dhe jashtë saj, dhe ftoi besimtarët të marrin mësim nga jeta e tij.

“Profeti Muhamed na ka thënë se “Më i mirë prej jush është ai që sillet mirë me bashkëshorten e tij”. Shoqëria jonë shqiptare fatkeqësisht është një shoqëri patriarkale ku mashkulli zë vendin kryesor në trajtimin dhe vlerësimin e njeriut pavarësisht pozicionit dhe aftësisë. Por ne jemi pjesëtar të fesë së balancës, fesë e cila nuk e vlerëson njeriun sipas rracës, veshjes apo përkatësisë,”- u shpreh nënkryetari Aga.

Ai theksoi mënyrën se si duhet të jenë raportet familjare për të shmangur problematika të tilla shqetësuese, duke u bazuar në porositë dhe sjelljet e profetit Muhamed.

“Profeti Muhamed ishte një bashkëshort i mirë, ndihmonte në punët e shtëpisë, i buzëqeshte bashkëshortes, e pyeste çfarë i pëlqente, gatuanin bashkë, hanin bashkë, ecnin bashkë. Dhe shembulli më I mirë për besimtarët është Profeti ynë i dashur. Feja na kujton se bashkëshortja është amanet dhe edukimi i femrave sipas profetit Muhamed bëhet shkak për fitimin e xhenetit (parajsës),”- deklaroi Aga duke nxitur besimtarët të veprojnë sipas këtij modeli e të bëhen vetë shembull i mirë për të tjerët.

Sipas nënkryetarit femra luan një rol shumë të rëndësishëm në shoqëri dhe ajo meriton një respekt të jashtëzakonshëm.

“Nëse janë 2000 femra nën mbrojtjen e policisë shumë të tjera nuk shprehen dhe janë preh e këtyre keqtrajtimeve. Duke parë këto shifra alarmante duhet të mbajmë më shumë hytbe (ligjërata) për dashurinë, respektin dhe sjelljen ndaj bashkëshortes.”

Pin It