Kryebashkiaku i ndan detyrat ndërlidhësve

Veliaj-takim-me-nderlidhesit-1

Raportimi për çdo ndërhyrje të paligjshme, ndërmjetësimi mes banorëve dhe bashkisë, zgjidhja e mosmarrëveshje mes banorëve si edhe evidentimi i familjeve në nevojë janë disa prej detyrave që kryebashkiaku Veliaj u ka caktuar dje administratorëve të 24 njësive administrative në Tiranë. “Nevojat janë të panumërta. Ka njerëz të ardhur nga rrethe të ndryshme, që janë në kërkim të një pune, njerëz që përballen me fatkeqësi, njerëz, fëmijë që mund të kenë humbur prindërit, pra njerëz në kushte për të cilat meritojnë jo vetëm ndihmë ekonomike, ndihmë e asistencë sociale, por edhe një mbështetje njerëzore”, u shpreh kryebashkiaku, sipas të cilit në përputhje me ligjin për çdo 2500 banorë, komuniteti zgjedh një ndërlidhës, i cili do ndërmjetësojë problemet mes administratorëve të pallatit dhe njësisë administrative.

Detyra që sipas tij do të realizohen edhe më mirë me zbatimin e ligjit të ri për “Bashkëjetesën në komunitet”, i botuar në Fletoren Zyrtare më 19 maj të vitit 2015, i cili parashikon edhe zgjedhjen e detyrueshme të administratorëve të pallateve. Veliaj theksoi se në zbatim të këtij ligji do të bëhet trajnimi profesional dhe licencimi i administratorëve të pallateve. “Roli i administratorëve të njësive administrative të Tiranës është i një rëndësie shumë të madhe në mbarëvajtjen e jetës në çdo lagje dhe në zbatimin e ligjit nga banorët”. Kështu u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dje, në mbledhjen e parë me ndërlidhësit e njësisë numër 1, ku u diskutua mbi administratorët e pallateve dhe paketës së re fiskale. “Dua t’ju them se si ndërlidhës keni marrë përsipër të bëni gjëra, të ‘prishni’ disa rehati, disa qejfe, gardhin e dikujt, ndërtimin pa leje të dikujt tjetër, për dikë që shkakton konflikt me komunitetin, dikush që zapton hapësirë publike për komunitetin dhe e kthen në interes privat”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës. Veliaj u kërkoi administratorëve të 24 njësive administrative që të rrisin komunikimin me qytetarët dhe banorët e lagjes që mbulojnë për të gjitha vendimet që ndërmerr bashkia dhe projektet e mëdha apo të vogla që ajo ka vendosur të realizojë në të mirë të qytetarëve, ashtu siç edhe diskutoi gjatë prezantimit të projektbuxhetit në fundvitin e shkuar. “Bashkë folëm edhe për çështjen e këndit të lojërave te liqeni, e prezantuam 24 herë, megjithatë forca që duan të pengojnë progresin në Tiranë ca me dashje, ca komplet pa dashje, janë jo të buta dhe do të duhet që siç i bëmë ato 24 dëgjesa për buxhetin dhe projektet madhore, ne ta transformojmë të gjithë vitin në një komunikim konstant me banorët”, sqaroi Veliaj. Kryebashkiaku shtoi se ky komunikim është tepër i rëndësishëm si për bashkinë që të kuptojë se cilat janë nevojat dhe qëndrimet e një lagjeje të tërë, ashtu edhe për vetë banorët që të njihen dhe të japin mendimin e tyre për projektet apo vendimet që merr bashkia. “Demokracia është ‘sport’ me pjesëmarrje. Kur dikush nuk merr pjesë e nuk vjen në dëgjesa, nuk mund të ankohet pse u morën vendimet kur ai s’ishte, ndaj më vjen mirë që për qytetarët që nuk e kanë mendjen të dalin në televizor, por për qytetarët që kanë mendjen se si do të bëhet komuniteti më i mirë, ishin në këto dëgjesa dhe kanë mbështetur fuqimisht bashkinë në këto projekte madhore, si këndi i lojërave te  liqeni, Pazari i Ri, Unaza e Vogël, që sapo ka nisur, kopshtet, shkollat, çerdhet në çdo njësi”, deklaroi Veliaj.

Një tjetër çështje për të cilën u ridiskutua dje në sallën e Këshillit Bashkiak ishte edhe zënia e hapësirave publike nga ata që Bashkia e Tiranës i cilëson si të fortët e qytetit, luftë që është e gatshme ta fitojë në interes të qytetarëve. “Taksa e biznesit të vogël, një taksë që fillonte me 250 mijë lekë dhe mbaronte me 2 milionë lekë, në varësi ku ishte me kufirin e biznesit të vogël, është bërë zero. Çfarë bën brenda dyqanit tënd, në punishte, në furrë, pastiçeri, rrobaqepësi etj., është zero. Në çastin që del jashtë, ajo hapësirë është e të gjithë qytetarëve. Kushdo që ecën mbi trotuar, po ecën mbi pronën e vet, çdo njeri që ecën në rrugët e Tiranës, ecën mbi pronën e vet. Askush tjetër nuk ka të drejtë t’ia marrë pronën pa pagesë qytetarëve”, tha Veliaj. Në të kundërt, theksoi kryetari i Bashkisë së Tiranës, cilido biznes që nuk u përgjigjet këtyre taksave se nuk ka punë, le ta lirojë pronën publike të qytetarëve. “Nëse pasi ke zënë hapësirë publike në zonën A, zona më e shtrenjtë e qytetit, ku kafja në fakt është 800 lekë, nëse nuk nxjerr 500 lekëshin sa për të paguar këtë dhe nuk ke aq punë, përse e zë hapësirën publike?”, u shpreh Veliaj, ndërsa shtoi se taksat i shërbejnë më pas qytetit për të bërë më shumë shkolla, çerdhe apo kopshte. Për këtë qëllim, ai u ka kërkoi ndërlidhësve të komunitetit që të bisedojnë me banorët e lagjes së tyre për t’i shpjeguar se taksat që aplikon bashkia këtë vit për bizneset, në krahasim me ato që aplikoheshin një vit më parë, janë ulur, e në rastin më të mirë janë zeruar, përfshi këtu taksën e biznesit të vogël apo taksën e tabelës. “Unë kam vendosur që Bashkia e Tiranës të ecë shpejt për të kapur kohën e humbur”, theksoi kryebashkiaku.

 

Pin It