Ligji për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve, nevojat minimale për të varfërit i siguron shteti

251173

Këshilli i Ministrave ka depozituat në Kuvend ligjin e ri për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve. Projektligji parashikon për herë të parë një sistem gjithëpërfshirës të mbrojtjes së fëmijëve, duke ripërcaktuar qartë detyrat e mekanizmave institucionale dhe strukturave të mbrojtjes së fëmijëve në nivel qendror dhe lokal.

Drafti parashikon se pavarësisht kushteve ekonomike, identitetit, vendbanimit dhe etnisë, çdo fëmije duhet t’i garantohet mirërritja, siguria, ruajtja e identitetit, zhvillimi fizik dhe mendor, privatësia, mirëqenia, arsimimi, ushqyerja, strehimi, argëtimi, shërbimi shëndetësor, arsimimi, dëgjimi i mendimit, e drejta e informimit etj.

Për herë të parë sanksionohet në ligj që, në rast se prindërit ose personat që kujdesen për fëmijën nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, për shkaqe që nuk varen prej vullnetit të tyre, nevojat minimale të fëmijës për strehim, ushqim, veshmbathje dhe edukim ofrohen nga shteti.

Po ashtu, prindërit kanë të drejtë t’u kërkojnë autoriteteve ndihmë financiare ose forma të tjera të asistencës për mirërritjen e fëmijës. Nga ana tjetër, çdo institucion publik ose jopublik, që ushtron aktivitet në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, ka detyrimin t’u japë prindërve të gjithë informacionin e nevojshëm për përfitimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror, sipas ligjit.

Ligji për mbrojtjen e fëmijëve parashikon që bashkitë janë përgjegjëse për ngritjen në nivel bashkie dhe në nivel njësie administrative në varësi të tyre të strukturave përkatëse për mbrojtjen e fëmijëve.

Pin It