Europa nuk mund të lejojë që Greqia të bjerë në kaos. Kjo deklaratë është bërë nga kancelarja gjermane Angela Merkel në kulmin e debateve për çështjen e emigrantëve. Austria dhe vendet e tjera të Ballkanit kanë marrë një sërë masash për të penguar kalimin e tyre drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Sipas Merkel shtetet e BE-së nuk luftuan aq fort për ta mbajtur Athinën në zonën e euros, vetëm që pastaj ta linin në baltë.
Ajo gjithashtu mbrojti vendimin për të hapur kufijtë e shtetit për emigrantët, pavarësisht se kjo ka sjellë rënie të popullaritetit të saj ne vend.
Më shumë se një milion njerëz erdhën për të kërkuar azil vitin e kaluar, duke shkaktuar kundërshtime dhe debate brenda koalicionit qeverisës si dhe rritje të ekstremizmit të djathtë.