Mesazhe përmes artit në ekspozitën “Retro TIME”

13173230_1084836611558126_6511574550757194664_o

Njëzet e nëntë artistë të rinj nga qytete të ndryshme janë bashkuar në një ekspozitë “Retro Time” në Berat.

Ekspozita e hapur në Galerinë e Arteve “Edward Lear” përbëhet nga 40 vepra të llojeve të ndryshme të artit pamor si skulpturë, pikturë, fotografi, instalacion, video dhe vizatim. Veprat karakterizohen nga stili retro, të frymëzuar nga e kaluara e Shqipërisë dhe të ndërthura me realitetin e sotëm.

Të rinjtë kanë zgjedhur të japin mesazhe përmes artit në lidhje me çështje të ndryshme socio-historike të realitetit shqiptar. Secili prej tyre ka zgjedhur nga një tematikë të ndryshme dhe e ka paraqitur në mënyrën e vet origjinale.

“Stili retro është një stil i veçantë dhe në këtë ekspozitë vjen në forma të ndryshme të artit duke prekur të gjitha nga pak. Janë 29 artistë që sjellin prurjet e tyre artistike të veçanta nëpërmjet fotove, videove, skulptura të stilizuara dhe instalacionit”, tha Meri File, koordinatore e këtij projekti.

Ekspozita është vizituar nga njerëz të shumntë, ndërsa artistët e rinj pjesëmarrës e kanë cilësuar atë si një ogur të mirë për të ardhmen e tyre artistike.

Koordinatorja e këtij projekti thotë se qyteti i Beratit ishte takimi i parë me publikun dhe se ekspozita do të shfaqet edhe në qytetin e Pogradecit.

Pin It