Nisin procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri të KQZ-së

Kuvendi i Shqipërisë nisi të martën procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri të KQZ-së, duke qenë se mandati i kryetares aktuale përfundon më 11 tetor. KQZ shpalli kriteret që duhet të përmbushin kandidatët për këtë post sipas Kodit Zgjedhor.

Në njoftimin për shtyp të Kuvendit thuhet se procesi i zgjedhjes së kryetarit të ri nis pas konstatimit se mandati i kryetares Lefterije Luzi përfundon më 11 tetor dhe pas kësaj date ky pozicion do të jetë vakant.

Personat e interesuar duhet të plotësojnë kriteret ligjore të parashikuara në nenin 12, pika 2 e Kodit Zgjedhor për t’u shpallur kandidat për kryetar të KQZ-së. Shtetasit që plotësojnë kriteret duhet të dorëzojnë kërkesën bashkë me dokumentacionin përkatës deri në datën 30 shtator. Aplikimet do të vlerësohen nga Komisioni i Ligjeve.

Kriteret që duhet të përmbushë një shtetas për t’u emëruar anëtar i KQZ-së janë si më poshtë:

a) të jetë me moshë mbi 35 vjeç;
b) të jetë me arsim të lartë;
c) të ketë përvojë profesionale prej jo më pak se 10 vjet punë, të paktën në një nga fushat e mëposhtme:
i) në fushën e së drejtës;
ii) në administratën publike;
iii) në administrimin e zgjedhjeve;
iv) si drejtues i organizatave jofitimprurëse, të cilat kanë objekt të veprimtarisë së tyre mbrojtjen dhe zhvillimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, zhvillimin e zgjedhjeve demokratike apo politikat publike;
ç) të mos jetë i dënuar penalisht;
d) të mos ketë qenë anëtar i ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit;
dh) të mos ketë qenë i zgjedhur deputet i Kuvendit në 5 vitet e fundit;
e) të mos ketë qenë pjesëtar në 5 vitet e fundit në Policinë e Shtetit, në Forcat të Armatosura dhe në Shërbimin Informativ Shtetëror;
ë) të mos jetë larguar nga administrata publike apo çdo funksion publik për shkelje të detyrës.

Pin It