Drejtori i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Artur Micko, tha se me anë të politikave të nxitjes së punësimit sipërmarrjet kanë përfitime të ndryshme në formën e subvencioneve, nëse ato punësojnë persona, të cilët janë regjistruar në Zyrat e Punës, të cilat janë pjesë të Shërbimit Kombëtar të Punësimit.
Një nga këto politika nxitëse përfshin edhe punësimin e shtresave në nevojë, siç janë personat me aftësi të kufizuara. Drejtori i SHKP-së ka shpjeguar mundësitë që ofrohen për të ndihmuar këtë kategori qytetarësh, ku përfitojnë edhe sipërmarrësit. “Programi për integrimin e tregut të punës të personave më aftësi të kufizuara i subvencionon punëdhënësit, për një periudhë 1 vjeçare sigurimet shoqërore e atij personi të punësuar. Nga ana tjetër po për këtë person të punësuar, i cili është me aftësi të kufizuara, punëdhënësit i subvencionohet e plotë për 6 muaj paga minimale (për personin në fjalë) në shkallë vendi dhe për 6 muajt e tjerë i subvencionohet në masën 50%. Gjithashtu, subvencione të tjera, që parashikohen lidhur me programin e nxitjes së punësimit të personave me aftësi të kufizuara, janë 100 mijë lekë të reja, të cilat i akordohen punëdhënësit që të përshtatë ambientin për këta persona.