Qeveria, 605 mln lekë borxhe të reja ndaj biznesit

borxhi-po-rritet-1200x630

Transporti është sektori qeveritar me detyrimet më të mëdha të krijuara rishtazi ndaj biznesit. Borxhet e këtij sektori janë rritur gjatë katër muajve të parë të vitit 2016, pavarësisht kushtit të Fondit Monetar Ndërkombëtar ndaj qeverisë për të mos krijuar borxhe të reja.

Borxhi i ri i Autoritetit Rrugor Shqiptar ndaj kompanive që kanë kryer punimet është më shumë se 605 milionë lekë.   Këto detyrime i përkasin vetëm katër muajve të parë të vitit 2016 dhe prej tyre, 39 milionë lekë iu përkasin projekteve në infrastrukturë. Ndërsa borxhi ndaj kompanive që kanë ndërtuar dhe rikonstruktuar rrugët rezulton mbi 329 milionë lekë.

Buxheti i shtetit është i pamjaftueshëm për të përmbushur detyrimet ndaj kompanive dhe firmave të ndryshme, një pjesë e të cilave vijojnë punimet në projekte të caktuara. Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë, se borxhi i sektorit të transporteve ndaj bizneseve nga janari i vitit 2015 deri në prill të vitit 2016 ishte 2.3 miliardë lekë.

Nga ana tjetër qeveria ka marrë borxh nga FMN për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura ndaj privatit dhe kushti i FMN-së ishte moskrijimi i borxheve të reja. Shifrat tregojnë që ky kusht nuk është plotësuar, ndërsa sipërmarrja në vend vijon të përballet me vështirësi financiare.

Pin It