Reshjet, më shumë se 1 mijë hektarë tokë bujqësore nën ujë

Më shumë se një mijë hektarë tokë janë përmbytur nga reshjet që përfshinë vendin gjatë kësaj jave.

Ministria e Bujqësisë njoftoi të shtunën se rrjeshjet e shumta kanë shkaktuar përmbytje të tokave bujqësore në Sarandë, Dibër dhe Lezhë dhe Shkodër. Sipas këtij njoftimi nuk ka probleme me furnizimin me energji elektrike dhe hidrovoret punojnë me kapacitet të plotë.

Në Sarandë, ka dalje nga shtrati të lumit të Bistricës, Pavllos dhe Kalases duke shkaktuar përmbytje te toka bujqësore. Në hidrovorin e Çukes në Sarandë ka pasur ndërprerje të energjisë, por aktualisht hidrovori është në punë.

Po kështu, lumi i Drinit të zi në Dibër dhe përrenjtë malore kanë prurje të rritura. Është ndërhyrë në argjinaturat mbrojtëse në Gjoricë. Në kanalin ujitës të Klosit, i cili shërben edhe si kanal i ujërave të larta ka dëmtime nga prurjet e shumta dhe rëshqitjet e tokës. Hidorovoret kanë punuar me kapacitet të plotë gjatë gjithë kohës.

Situata po monitorohet pa ndërprerje nga Bordet e Kullimit në bashkëpunim me bashkitë. Ndërkohë në Qarkun Lezhë, rreshjet vazhdojnë, por me intensitet më të ulët se ditët e mëparshme. Kanë rënë rreth 30 mm shi. Drini është në kuotë 1.1 nga 2.2 që është pika kritike.

Aktualisht janë nën ujë në Torovicë rreth 300 ha, Zejmen-Shënkoll rreth 180 ha (kryesisht këneta e Spitenit dhe Treshit), Barbullojë, (njësia administrative Kolsh) rreth 100 ha, Dajç-Blinisht rreth 25 ha.

Me problematike ngelet situata ne Kurbin, ku sipas informacioneve nga terreni rezulton të jenë rreth 500 ha nën ujë.

Pin It