Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare gjobiti me 1 milion lekë kompanitë e sigurimeve për rritjen e panjoftuar të tarifave të primit të sigurimit të detyrueshëm.
Vendimi vjen pasi në fund të gushtit kompanitë e sigurimeve në vend rritën në mënyrë të unifikuar çmimet e primit të sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit, pa njoftuar më parë AMF-në.
Për këtë shkak AMF miratoi vendimin për marrjen e masave administrative ndaj shoqërive të sigurimit. Sipas burimeve nga AMF, kjo masë administrative është gjobë në vlerën 1 milion lekë.
Nga ana tjetër Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim të thelluar në lidhje me dyshimet për marrëveshje të fshehtë nga kompanitë e sigurimit me qëllim fiksimin e çmimeve.
Në fund të muajit gusht, kompanitë e sigurimeve rritën në mënyrë të përbashkët me 25 % primet e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve për përgjegjësitë ndaj palëve të treta.