Shpërngulja, ankohen banorët e konvikteve: Nuk kemi strehë tjetër

avokati-popullit

Individët dhe familjet që banojnë prej vitesh në ish konviktin e Shkollës së Mesme të Hoteleri-Turizmit në Tiranë janë ankuar tek institucioni i Avokatit të Popullit. Ata pretendojnë se po dëbohen nga këto ambiente, duke u lënë pa strehë.

Reagimi i banorëve vjen pas nismës së Bashkisë së Tiranës për zbrazjen e konvikteve nga familjarët dhe përdorimin e tyre vetëm nga nxënësit. Banorët e kësaj godine janë kryesisht persona të pastrehë dhe jetimë që nuk kanë mundësi tjetër strehimi.

Avokati i Popullit, Igli Totozani, zhvilloi një takim me banorë të kësaj godine dhe i siguroi ata se do të shpërngulen vetëm pas gjetjes së një strehim tjetër dinjitoz.

“Po monitorojmë në mënyrë të vazhdueshme situatën. Ka pasur ankesë nga një grup prej 23 familjesh me jetimë pranë institucionit të Avokatit të Popullit, si dhe një sinjalizim nga ana e shoqërisë civile.  Ne do të monitorojmë hap pas hapi, së bashku me shoqërinë civile, besoj, të gjithë procedurat që do të ndiqen ndaj jush.

Është legjitime që shkolla të rikonstruktohet dhe të shndërrohet në funksionin e saj primar dhe ju të jetoni në kushte të tjera, por asnjë dëbim nuk duhet bërë pa u zbatuar kriteret dhe standardet ndërkombëtare në rastin e dëbimeve.

Aktorët duhet të gjejnë zgjidhje dhe të zbatojnë procedurat ligjore përkatëse dhe standardet ndërkombëtare, që këtu çdo lëvizje e qyterarëve të kryhet duke siguruar më përpara një strehim të përshtatshëm dhe dinjitoz”, u shpreh Totozani.

Avokati i Popullit ka kërkuar zhvillimin e takimeve me Bashkinë e Tiranës dhe Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë për zgjidhjen e çështjes.

Pin It