Kuvendi i Shqipërisë do të votojë sot për 6 ligjet e tjera të paketës emergjente për zbatimin e reformës në drejtësi, ndërsa opozita do të votojë vetëm miratimin e SPAK-ut.
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, njoftoi dakordësinë e demokratëve për këtë ligj, por tha se ata do të ankimojnë 5 ligjet e tjera në rast se maxhoranca i kalon vetëm me votat e shumicës. Basha tha se ligji për SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit është i vetmi që është në përputhje me standardet e kërkuara nga Partia Demokratike.
Gjatë ditës së djeshme demokratët ankimuan në Gjykatën Kushtetuese ligjin e “vetingut” për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke kërkuar pezullimin e ligjit vetëm dy ditë para se të hynte në fuqi.
Paketa e posaçme e ligjeve antikorrupsion përmban gjithsej 7 ligje, prej të cilëve është miratuar me votat e shumicës ligji i “vetingut”, ndërsa 6 të tjerët do të kalojnë në seancën e sotme të Kuvendit.