Tahiri: Armëmbajtja pa leje do të quhet përgatitje për sulm

tahiri

Duke marrë shkas nga numri i lartë i vrasjeve me armë zjarri dhe i atentateve të mbetura në tentativë, ministri i brendshëm Saimir Tahiri tha se armëmbajtja pa leje së shpejti do të quhet përgatitje për sulm. Në lidhje me këtë ai tha se po përgatiten amendamente të reja dhe së shpejti ato do të dërgohen në parlament për të marrë betimin e ligjvënësve.

“Unë besoj se pavarësisht respektit të detyrueshëm që kemi për vendimet e Gjykatës Kushtetuese (kjo e vërtetuar edhe me fakte dhe të dhëna nga Policia e Shtetit), ka pasur efekt jo të vogël, dekurajues, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e neneve të Kodit Penal që kanë të bëjnë me armëmbajtjen pa leje. Ajo që ne do bëjmë me urgjencë është propozimi për kolegun tim, ministrin e Drejtësisë dhe për Kuvendin, propozimi i amendamenteve për të dënuar maksimalisht “armëmbajtjen pa leje”. Do të fokusohemi që të mbledhim praktikat më të mira botërore, duke bërë çmos që “armëmbajtja pa leje” të jetë një vepër shumë e dënueshme. Ne duhet të bëjmë çmos që të dekurajojmë të gjithë ata që e çojnë në mend se mund të zgjidhin konflikte duke pasur një armë në dorë. Po shikojmë modele. Ka modele shumë të mira. Një ndër to parashikon ndarjen e armëmbajtjes nga armëmbajtje në trup në armëmbajtje në mjedise, qoftë kjo makinë, qoftë kjo shtëpi. Po shikojmë disa modele që janë mjaft pozitive. Unë kam nxitur edhe ekspertë të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të vlerësojmë të gjitha variantet. Jemi shumë që “armëmbajtja” duhet të jetë një vepër penale shumë e rëndë. Jemi shumë të bindur që çdo kush që çon ndërmend të mbajë një armë pa leje duhet të llogarisë mirë efektet që kjo ka në shoqëri. Ne mendojmë që përkrah përpjekjes sonë për të sensibilizuar qytetarët, për t’u bërë bashkë me qytetarët që respektojnë ligjin, për të forcuar shërbimet reaguese dhe parandaluese të Policisë së Shtetit, mendojmë që reforma në legjislacionin penal ka një efekt jo të vogël. Veçanërisht në vepra të tilla siç është “armëmbajtja pa leje”. Nëse do ecim me variantin që armëmbajtja pa leje në trup është përgatitje për sulm me armë dhe dënohet maksimalisht, ndërkohë që armëmbajtja pa leje në makinë apo në ambiente të tjera është shkelje më e vogël, por që përsëri dënohet maksimalisht. Besoj se do i bëjmë një shërbim mjaft të mirë të gjithë atyre që nuk kanë pse të ndihen të kërcënuar nga cilido që lajthitet dhe mban një armë me vete apo në shtëpi” ka thënë Tahiri.

Këtë deklaratë Tahiri e bëri ditën e sotme tek sa ishte për inspektim në punimeve për ndërtimin e kompleksit të ri për shërbimet policore dhe veçanërisht Forcat Speciale të Policisë.

 “Janë 22 mijë m2 me një investim mbi 6 milionë euro që do të sjellë një standard të ri në shërbimet e policisë dhe mbi të gjitha kushte të reja për Forcat Speciale, Repartin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe të gjitha njësive të tjera të Policisë që do të alokohen në këtë repart. Jemi në ecuri mjaft të mirë të të gjitha reformave që kemi ndërmarrë për të përmirësuar shërbimin e policisë dhe për ta bërë Policinë më të aftë për t’i shërbyer qytetarëve, nga njëra anë. Dhe nga ana tjetër të gjithë bashkë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin” ka thënë Tahiri.

Pin It