Viti i ri shkollor në Medresenë e Tiranës, vlerësime për dijen dhe traditën arsimdashëse

medreseja

Medresetë e vendit çelën sot vitin e ri shkollor 2016-2017 me angazhimin e përvitshëm për një shkollim cilësor që ndërthur shkencën me besimin.

Kryetari i KMSH-së, Skënder Bruçaj, mori pjesë në ceremoninë e organizuar me këtë rast nga Medreseja e Tiranës, në të cilën ceremoni ishin të pranishëm drejtori i Medresesë së Tiranës, z. Ali Zaimi, drejtori i Fondacionit Sema, Omer Çallësh, dekani i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin Bedër, z. Rahim Ombashi, mësues, prindër dhe nxënës.

Drejtori Zaimi uroi nxënësit për një vit të suksesshëm mësimor dhe theksoi rëndësinë e dijes e diturisë në jetën e njeriut.

“Thelbi i gjithçkaje është dija dhe dituria. Është shkolla ajo që hedh bazat e edukimit, i jep horizont mendimit dhe botës tonë. Medreseja e Tiranës në këtë drejtim është një nga shkollat më me traditë dhe me arsimin më cilësor. Sot kemi një staf të përkushtuar dhe së bashku me vullnetin tuaj të vazhdueshëm do të thellohemi më shumë në dije dhe dituri”, tha ndër të tjera z. Zaimi.

Ndërsa Kryetari i KMSH-së siguroi nxënësit që në këtë shkollë do të gjejnë arsimin më cilësor të ndërthurur me moralin e lartë.

“Kur prijësit myslimanë themeluan Medresenë e Tiranës kishin si qëllim fisnik edukimin e brezave me moralin e lartë të fesë Islame por njëkohësisht të jenë të suksesshëm në jetën e përditshme sociale, ta duan kombin e tyre dhe ta njohin mirë përkatësinë e tyre. Unë jam i bindur që këtu do të gjeni mbështetje absolute nga drejtuesit dhe stafi pedagogjik për të realizuar ëndrrat dhe aspiratat tuaja”, tha kreu Bruçaj.

Po ashtu edhe drejtori i Fondacionit Sema dhe dekani i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin Bedër Rahim Ombashi shprehën vlerësimet e tyre për traditën dhe edukimin që ofron Medreseja e Tiranës.

Medreseja e Tiranës, ose ndryshe Medreseja Haxhi Mahmud Dashi, është një nga shkollat më me traditë në Shqipëri e cila daton që në vitin 1924. Sot kjo shkollë mundëson arsimimin e nxënësve në kushte bashkëkohore duke ndërthurur dijen shkencore me atë fetare.

Pin It