Vuçiç – serbëve: Investoni në Shqipëri, shqiptarët janë të besës

rama-vucic-ne-nish

Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, ka nxitur biznesmenët serbë të investojnë në Shqipëri. Gjatë Forumit të Biznesit të mbajtur në Nish, Vuçiç tha se bashkëpunimi është rruga e vetme e ekonomisë në ditët e sotme dhe i garantoi biznesmenët serbë se shqiptarët janë njerëz të besës, prandaj duhet punuar me ta.

“Dua të inkurajoj njerëzit tanë të shkojnë në Shqipëri, të ndërtojnë objekte turistike, të krijojnë kompani të përbashkëta. Shqiptarët e mbajnë fjalën dhe janë njerëz të mirë dhe të punës. Unë jam ndoshta subjektiv, por dua t’u them se kjo është e mirë për Serbinë dhe punoni mirë me ta. I kuptojmë ndarjet politike, por duhet t’i kthehemi të ardhmes”, tha Vuçiç.

Forumi i Biznesit Shqipëri-Serbi në qytetin e Nishit është karakterizuar në tërësi nga një dialog më i qetë dhe mirëkuptues mes dy shteteve. Të dy kryeministrat kanë theksuar përparimin e bërë në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke thënë se dikur një komunikim i tillë mund të ishte i paimagjinueshëm.

“Një nga arsyet pse ne prodhojmë më shumë histori sesa ç’mund të tresim është se jemi të vegjël dhe kur vjen puna të mendojmë për tregun, tregjet tona janë shumë të vogla të ndara nga njëri-tjetri në një botë që sa vjen dhe bëhet gjithmonë e më e egër nga pikëpamja e konkurrencës. Por ama, nëse ne arrijmë që kush investon në Tiranë, Beograd, Prishtinë, Podgoricë e kështu me radhë të mos investojë thjeshtë brenda kufijve të një tregu të vogël, por të investojë në një treg të gjerë rajonal kemi garantuar një kapërcim historik për njerëzit në funksion të zhvillimit dhe mirëqënies së tyre”, tha Rama në Nish.

Pin It