150 mijë pasaporta të fëmijëve skadojnë më 1 korrik

1-294

 Ministria e Brendshme informon sërish që familjet që kanë fëmijë nën 16 vjeç dhe u printuan gabimisht me afat 10-vjeçar, nuk do të përdoren që nga muaji korrik. Janë 150 mijë pasaporta që duhen zëvendësuar.

1 korriku është data përfundimtare e skadimit të pasaportave të printuara gabimisht me afat 10-vjeçar për fëmijët nën 16 vjeç. Por edhe kur jemi 2 javë përpara kësaj date, autoritetet e Ministrisë së Brendshme thonë se ka një neglizhencë sa i përket zëvendësimit të këtyre pasaportave. Bëhet fjalë për më shumë se 150 mijë pasaporta të printuara në vitet 2009-2010. Edhe më herët, Ministria e Brendshme kishte lajmëruar se data 31 korrik 2016 është afati i fundit i vlefshmërisë së pasaportave biometrike të lëshuara në periudhën prill 2009 – korrik 2010, për shtetasit nën moshën 16 vjeç në momentin e aplikimit. Bëhet fjalë për problemin e pasaportave të aplikuara, që u lëshuan me afat 10-vjeçar, ndërkohë që për fëmijët pasaporta ndërkombëtarisht ka afat 5-vjeçar.

Javën e ardhshme autoritetet në bashkëpunim me kompaninë “Aleat” do të nisin një fushatë informuese edhe në pikat e kalimit kufitar. Sipas policisë kufitare, çdo ditë ka raste kur fëmijëve u është refuzuar kalimi në zonën “Schengen” për shkak të problemit me pasaportën. Apeli i autoriteteve vjen në një kohë që përkon me sezonin turistik dhe familjet që udhëtojnë për pushime mund të përballen me surpriza të pakëndshme në pikat e kalimit kufitar. Në vitet 2009-2010 janë printuar më shumë se 150 mijë pasaporta me afat të gabuar 10-vjeçar për shtetasit nën moshën 17 vjeç, ndaj lidhur me këtë problem shefi i Komisariatit të Rinasit, Ermal Milori, u apelon qytetarëve të verifikojnë dokumentet.

Ndonëse Ministria e Brendshme ka bërë disa herë thirrje për verifikimin e pasaportave, të printuara gabimisht me afat 10-vjeçar për fëmijët nën 17 vjeç, në pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë, çdo ditë u refuzohet kalimi në vendet e “Schengen”-it disa fëmijëve.

 

 

 

Pin It