Çregjistrimi i bizneseve, ligji vendos afate për thjeshtimin e procedurës

1_01 Regjistrim fillestar i biznesit

Ankesat e bizneseve për procedurat e zvarritura të çregjistrimit marrin përgjigje. Financat propozuan disa ndryshime në ligjin e procedurave për çregjistrim, të cilat thjeshtojnë dhe përshpejtojnë procesin.

Sipas ndryshimeve çregjistrimi i biznesit do të zgjasë maksimumi 40 ditë nga data e paraqitjes së kërkesës për çregjistrim pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit. Organi tatimor ka vetëm 10 ditë kohë për të verifikuar gjendjen tatimore të biznesit që kërkon të çregjistrohet dhe 30 ditë kohë për të kontrolluar mjedisin e biznesit. Pas këtij afati biznesi çregjistrohet automatikisht.

Por nëse gjatë periudhës 30 ditore administrata tatimore e kundërshton me shkrim çregjistrimin e biznesit, atëherë QKB ose gjykata nuk mund të kryejë çregjistrimin.

Ndryshimet e bëra në ligj detyrojnë organet tatimore dhe QKB të informojnë biznesin për çdo ecuri në lidhje me procesin.

“Për çdo procedurë që organi tatimor dhe QKB kryejnë sipas këtij neni, që kur fillon procedura e çregjistrimit dhe deri në çregjistrimin përfundimtar, i njoftohet në të njëjtën kohë edhe subjektit”.

 

Pin It