Dhuna ndaj grave, shoqatat kërkojnë rishikimin e ligjit për urdhrat e mbrojtjes

Urdhrat e mbrojtjes për rastet e dhunës ndaj grave nuk rezultojnë të vlefshëm, prandaj shoqatat e grave kërkojnë rishikimin e legjislacionit për këtë çështje.

Numri i grave të dhunuara pavarësisht urdhrit të mbrojtjes ndaj tyre është në rritje. Sipas kryetares së Shoqatës në Dobi të Gruas Shqiptare, Sevim Arbana, shkak i kësaj situate është mungesa e kontrollit nga Policia e Shtetit.

Ajo tha se vendimet e gjykatës mbeten thjesht në letër dhe nuk ndiqet zbatimi i tyre. Për këtë arsye Arbana kërkon rishikimin e politikave sociale për këtë kategori të shoqërisë.

“Duhet të rishikojnë të gjithë politikat dhe strategjitë sociale për viktimat, shtresat vunerabël. Duhet të shikohen me seriozitet dhe realizëm, jo të bëhet me fushatë dhe zhurmë mediatike,” – u shpreh Arbana.

Duke iu referuar rastit të fundit të Marsela Çaushajt në Vlorë, ajo tha se numri i grave që krahas dhunës, përballen me vështirësi ekonomike, mungesë strehimi dhe uri është dukshëm i madh. Sipas të dhënave të Gjykatës së Tiranës vetëm gjatë vitit 2016, 201 gra janë pajisur me urdhër mbrojtjeje ndaj bashkëshortëve të tyre.

Pin It