Fitër Bajrami në Shqipëri, ndjesi bashkimi, shprese dhe harmonie

oo

Besimtarët myslimanë në të gjithë Shqipërinë festojnë sot festën e Fitër Bajramit, duke përcjellë kështu muajin e bekuar të Ramazanit. Kjo ditë shënon përmbushjen me sukses të sakrificës së agjërimit përgjatë një muaji të mëshirshëm, në kërkim të faljes së Zotit.

Mijëra besimtarë myslimanë falën namazin e Fitër Bajramit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë dhe qindra – mijëra të tjerë në sheshe e xhami në të gjithë vendin. Namazi u drejtua nga imami i Qabes, Shejh Salih Bin Talib, i cili ndodhet në Shqipëri me ftesë të Komunitetit Mysliman enkas për këtë ditë.

Programi i Fitër Bajramit nisi me faljen e namazit të sabahut, për të vazhduar më pas me leximin e Kur’anit nga imami i xhamisë “Et’hem Beu”, Elton Karaj. Ceremonia vazhdoi me fjalën përshëndetëse të kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, i cili uroi besimtarët myslimanë dhe gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, për shëndet dhe mirësi, për sukses në çdo sferë të jetës.

“Ne po e përcjellim me përmallim Muajin e Bekuar të Ramazanit, me shpresën e madhe, që Zoti të na ketë falur mëkatet tona dhe të ketë pranuar lutjet, adhurimet dhe sakrificën tonë. Ramazani na mësoi se mirësitë dhe begatitë që na ka dhënë i Plotfuqishmi marrin kuptim vetëm atëherë, kur ndahen me të tjerët me synim fitimin e kënaqësisë së Zotit. Ky muaj i madhërueshëm na mësoi se sofra e iftarit është sofra e harmonisë dhe e vëllazërisë mes besimtarëve, mes vëllezërve dhe miqve, mes të pasurve dhe të varfërve. Të gjithë jemi të barabartë para Krijuesit,” – tha mes të tjerash kryetari Bruçaj.

Ndërsa mysafiri nga Meka, Shejh Salih Bin Talib, u përcolli besimtarëve përshëndetjet e mbretit të Arabisë Saudite, dijetarëve të dy xhamive të shenjta, si dhe të gjithë besimtarëve arabë. Ai gjithashtu u lut për paqe, mirëqenie, siguri e stabilitet për mbarë pupullin shqiptar.

Në ligjëratën e tij të shkurtër ai u ndal në parimet kryesore të fesë islame duke kërkuar që të jemi gjithmonë të vëmendshëm dhe të kujdesshëm për t’i zbatuar ato. Shejh Talib gjithashtu vuri theksin te respektimi i të drejtave të grave dhe kujdesi për to.

Pas namazit të Fitër Bajramit besimtarët patën mundësinë të dëgjonin hytben e mbajtur nga Myftiu i Tiranës, z. Ylli Gurra.

“Me lutjen që ky muaj i bekuar të ketë lënë në shpirtrat tanë ndjesitë më të bukura e më të vyera, festojmë sot me dëshirën për të vazhduar punët e mira e për t’u drejtuar me sinqeritet drejt kënaqësisë së Zotit,” – u shpreh myftiu Gurra.

Ndërsa moderatori i programit, Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun dhe Median në KMSH, z. Oltion Kola, u shpreh se Bajrami është dita e lehtësimit të brengave, është dita e shpresave të reja, dita ku kujtojmë njëri-tjetrin, dita e një jete të re, e pendesës për gabimet dhe e projekteve të veprave të mira, dita kur mëritë, hatërmbetjet, xhelozia dhe smira marrin fund, është dita kur falen gabimet e të tjerëve, është dita e ripërtëritjes së vëllazërisë, miqësisë dhe dashurisë për njeriun dhe njerëzoren.

Pin It