Fiton Roma, Juventus shpallet kampion

Juventusi shpallet kampion për të pestën herë radhazi kur kanë mbetur edhe tri ndeshje për t’u luajtur. Fitorja e Romës kundër Napolit bëri që bardhezinjtë të hapin shampanjën para kohe dhe festa të shpërthejë në Vinovo.

Ashtu sikurse para dy vitesh kur Juve drejtohej nga Conte, ka qenë sërish Roma që i ka “dhuruar” titullin bardhezinjve. Nëse në vitin 20014, Roma luftonte për titullin dhe ndalej në Siçili nga Catania, kësaj radhe Roma i shuan të gjitha shpresat Napolit, si skuadra e vetme që po i bënte presion Juves.

As rikthimi i Gonzalo Higuain në fushën e blertë nuk e ndihmoi Napolin që të thyente Romën në “Olimpico”, skuadër e cila çon në 14 numrin e ndeshjeve pa humbje në kampionat.

Mesfushori belg Nainggolan ishte ai që realizoi në minutën e 88, në kohën kur djemtë e Sarrit po bënin më tepër presion për të marrë të tre pikët dhe për të mbajtur gjallë shpresat për titull.

Tani Napoli duhet të bëjë kujdes që të ruajë vendin e dytë, pasi Roma është afruar në vetëm dy pikë, ndërkohë që kanë mbetur edhe tre ndeshje.

Pin It