IRTC, pronari i ri i rafinerive të Fierit e Ballshit, 65 për qind të naftës së Bankers do shitet brenda vendit

rafinerite

Kompania Bankers ka njoftuar se nga 1 tetor 2016 deri më  31 dhjetor 2017 rreth 65 për qind të naftës bruto që ajo nxjerr do të shitet në tregun e brendshëm. Bankers thotë se ka nënshkruar një marrëveshjeje të kushtëzuar në tregun vendas me Ionian Refining dhe Trading Co., apo ndryshe  IRTC sh.a. Shitja e kësaj sasie duket se ka qenë një kusht i vendosur nga qeveria shqiptare në këmbim të së cilës Bankers ka vënë kushtet e saj. Në njoftimin e kompanisë thuhet se marrëveshja bëhet efektive vetëm pasi Bankers të marrë miratimin e qeverisë për programin e shpimit për tremujorin e katërt 2016 dhe pas respektimit të amendamenteve për tërheqjen e pjesën e prodhimit të naftës së prodhuar në Patos-Marinzës që i përket Albpetrol. Po ashtu Bankers ka kërkuar garanci pagese në advancë për ngarkesat e naftës bruto. Çmimi i naftës, sipas kësaj marrëveshjeje, bazohet në atë të eksportit.

Në njoftim thuhet se IRTC do të përpunojë naftën bruto në rafineritë vendase të Fierit dhe Ballshit dhe vlerësohet rihyrja në treg si një punëdhënës e rafinerive vendase. Po cila është kompania që ka marrë përsipër të rifusë në punë rafineritë shqiptare pronë e ish kompanisë ARMO, tashmë e falimentuar. Pas një kërkimi në QKR rezulton se IRTC është krijuar më 8 qershor 2016 dhe regjistruar 5 ditë më vonë. Ajo është një sh.a  aksionarët e të cilës nuk janë publikuar. Administrator i saj është shtetasi shqiptar Taulant Musabelliu dhe kryetar i bordit të administrimit shtetasi jordanez Mustafa Abunabaa.

Pin It