Javë ndërgjegjësimi, rreth 100 raste të reja çdo vit me kancer në qafën e mitrës

kanceri-i-qafes-se-mitres

Deri më 30 janar, në kuadër të javës europiane të parandalimit të kancerit të qafës së mitrës, do të zhvillohen aktivitete dhe trajnime të ndryshme për të rritur informimin dhe ndërgjegjësimin për parandalimin dhe zbulimin e saj në kohë.

Shkaktari kryesor i gjendjes parakanceroze dhe kancerit të qafës së mitrës është infeksioni i vazhdueshëm ose kronik me një ose më shumë lloje të virusit të papilomës humane HPV (Human Papiloma Virus). HPV është infeksioni më i zakonshëm viral i traktit riprodhues. Ka më shumë se 100 lloje HPV-sh, por shumë prej tyre nuk shkaktojnë probleme dhe mund të zhduken vetvetiu.

Në Shqipëri raportohen rreth 100 raste të reja çdo vit. Më tepër se gjysma e tyre diagnostikohen në stade të avancuara, kur trajtimi është pak efektiv dhe shumë i shtrenjtë. Tashmë është e njohur se kanceri i qafës së mitrës së bashku me kancerin e gjirit janë bërë kërcënim kryesor i shëndetit të grave në Shqipëri. Por, mosha e re e shfaqjes, krahasuar me llojet e tjera të kancerit, si dhe depistimi shumë i favorshëm i tij e bëjnë kancerin e qafës së mitrës një prioritet. Për këtë arsye, në paketën e rishikuar të shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor janë përfshirë edhe shërbimet për parandalimin dhe kontrollin e kancerit të traktit riprodhues, përfshi ato për kancerin e qafës së mitrës. Ndërkohë, ka përfunduar hartimi i udhërrëfyesit dhe i protokolleve për mënyrën si duhet punuar për kontrollin dhe parandalimin e kancerit të qafës së mitrës, në shërbimet e kujdesit parësor.

 

Pin It