Lajme shkurt nga sporti

partizani

Realdo Fili

Partizani ka bërë një lëvizje mjaft interesante në merkato, duke afruar talentin 19-vjeçar Realdo Fili. Futbollisti i përfaqësueses U-21, i cili shkëlqeu në sezonin e kaluar me fanellën e Apolonisë, ka ndërprerë me marrëveshje kontratën që kishte me klubin fierak. Më pas, ai nuk e kishte të vështirë të gjente akordin me Partizanin, i cili e ndiqte prej kohësh dhe kishte bërë të qartë se do të krijonte hapësira për një talent të tillë. Kësisoj, gjatë ditës së djeshme, Fili ka firmosur kontratën trevjeçare me ekipin kryeqytetas, duke u vënë nën urdhrat e trajnerit Agostineli.

Xhani De Biazi

Trajneri i kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, ka kritikuar tifozerinë e Fiorentinës, e cila nuk po vlerëson punën që ka bërë ekipi në këtë sezon në Serinë A. Sipas tij, tifozët duhet të jenë të lumtur që skuadra vazhdon të jetë në vendet e larta të klasifikimit, ndonëse nuk është më pretendente për titullin kampion. “Në Firence ankoheni gjithmonë”, tha De Biazi për “Radio Blu”. “Nëse në verë do t’ju kishin thënë se Fiorentina do të luftonte për vendin e tretë, do të kishit firmosur një mijë herë për një gjë të tillë. Unë shoh një skuadër që zhvillon një futboll të mirë me një trajner të përgatitur”, ishte opinioni i tij.

 

Elseid Hysaj

Dueli i sotëm në Serinë A mes Juventusit dhe Napolit mund të jetë vendimtar për titullin kampion. Për të ruajtur avantazhin prej dy pikësh në klasifikim ndaj bardhezinjve, trajneri Sarri po e përqendron taktikën e tij te “fshirja” nga fusha e lojës të yjeve të Juventusit. Rol kryesor në këtë taktikë do të ketë mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj. Ai është caktuar që të mbulojë futbollistin më të rrezikshëm të bardhezinjve, Paulo Dybala. “La Gazetta Dello Sport” ka kujtuar se një vit më parë, dueli Hysaj-Dybala në sfidën Empoli-Palermo, ishte mbyllur barazim 0-0 dhe me nga një karton të verdhë për secilin futbollist.

 

FIFA

FIFA ka dhënë një dënim model për ish-sekretarin e saj, Zherom Valke, duke e pezulluar për 12 vite nga çdo aktivitet sportiv. Sipas Komisionit të Integritetit në FIFA, Valke jo vetëm ka lejuar shitjen në tregun e zi të biletave të Botërorit 2014, por edhe ka përfituar personalisht nga tregtia e tyre. Për më tepër, ai ka abuzuar me fondet e FIFA-s, duke vënë në llogari të saj edhe udhëtimet me makina luksoze e avionë privatë që kryente privatisht, jashtë funksioneve të tij në këtë organizatë. Sikur të mos mjaftonte kjo, ka rezultuar se para pezullimit, Valke është munduar të shkatërrojë provat e shkeljeve të tij.

 

Pin It