Manjani prokurorëve: “Duhet të ndërtojmë sistemin, ta qepim dhe kopsitim bashkë “

manja-1024x775

Unioni i Prokurorëve është mbledhur sot për të diskutuar rreth reformës së drejtësisë. Në takim ka marrë pjesë edhe ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili edhe një herë shprehu mbështetjen ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve. Gjatë fjalës së tij, Manjani u tha prokurorëve që kjo është reforma më e thellë që po ndodh në sistemin e drejtësisë dhe vjen si pasojë e nevojës që ka vendi për ndryshimin e sistemit.

Kjo është reforma më e thellë e drejtësisë. Kjo vjen si nevojë që ka vendi për reformën dhe ne duhet ta bëjmë bashkë. Pikëpamja ime ka qenë dhe mbetet e panegociueshme, që çatinë e shtëpisë e rregullon vetëm banori i shtëpisë, sepse ai e di se ku pikon. Është e rëndësishme që të ndërmarrim hapat e duhura, në kohën e duhur. Koha është dhe mjedisi është i përgatitur dhe tashmë duhet veprimi. Ju jeni në detyrë, çdo ditë firmosni urdhër arreste dhe greni akuza për elementët kriminalë.

Nuk kam ndërmend që të hy në retorika publike me asnjërin prej jush, për aq kohë sa kryeni detyrën, përkundrazi shpreh mbështetjen e nevojshme për prokurorët që kryejnë detyrën e tyre ligjore. Koha është që ta çojmë më tej këtë punë. Na duhet një prokuror aktiv që të jetë zot i çështjes penale që në fazat e hershme të hetimit, e jo të hymë në piramida që nuk kanë zgjidhje. Kjo vjen prej sistemit hibrid. Nuk keni pse t’i vendosni vetes afat, që në filan kohë do të ndodhë një gjë. Ftesa ime për shërbimin e prokurorisë është që të zbardhin dosjet dhe çdo  person që abuzon me detyrën, qofshin këta edhe ministra.

Nëse prokurori stepet, kjo s’ka më vlerë. Duhet të ndërtojmë sistemin, ta qepim dhe kopsitim bashkë, që të mos na rrjedhë asgjë. Brenda sistemit që është, jepni zgjidhje proporcionale krimit, si në zyrën e shtetit ashtu edhe në rrugë. Krimi në rrugë dhe krimi në zyrën e shteti, duhet të ndëshkohet. Këtë nuk e diskutojmë fare, se po e bëri prokuroria këtë, e ka zgjidhur çështjen e besimit ndaj opinionit publik, ndaj drejtësisë dhe ndaj shtetit.

Mbetem përkrahës i kësaj lloj prokurorie. Dua të ju përgëzoj dhe t’i uroj Unionit tuaj jetë të gjatë dhe punë të mbarë! Iu uroj mirëseardhjen në mjedisin publik sepse kjo është një mënyrë e mirë që Prokurorët  të flasin në publik! Nuk jemi për t’iu përjashtuar por për të afruar mendimet. Mbështes këto që do të punojë në një sistem të kopsitur”, e mbylli fjalën Manjani.

Pin It